Komentimi i kaptinës “El-Ihlas”
قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ. اللَّهُ الصَّمَدُ. لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ. وَلَمْ يَكُنْ لَهُ كُفُوًا أَحَد.ٌ
1. “Thuaj: Ai, Allahu është Një!
2. Allahu është Ai, të Cilit krijesat i drejtohen (mbështeten) për nevojat e tyre.
3. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur.
4. Dhe askush nuk është i barabartë me Atë.”
Kaptina “El-Ihlas” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “En-Nas” dhe ka gjithsej 4 ajete. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 112.
Emërtimi i kësaj kaptine
Kjo kaptinë njihet me shumë emra, por më i njohuri ndër ta është emërtimi “El-Ihlas”, sepse kjo kaptinë kryesisht flet për Tevhidin e pastër (Njëshmërinë) e Allahut xh.sh. dhe zhveshjen e Tij nga cilësitë që nuk përkojnë me Qenien e Tij hyjnore, të cilat ia mveshin njerëzit nga injoranca. Kjo sure është distancim i hapur nga shirku (politeizmi) dhe thërret në besimin monoteist e të pastër në një Zot të vetëm, Sunduesi i Universit.
Emërtimet e tjera të kësaj kaptine janë: “Et-Tefrid”, “Et-Texhrid”, “Et-Tevhid”, “En-Nexhat”, “El-Vilajetu”, “El-Ma’rifetu”. Pastaj njihet edhe me emërtimin po ashtu shumë të njohur ”El-Esas”, sepse kjo sure në vete përmban bazamentet themelore të besimit islam. Fahru Rraziu ka numëruar deri njëzet emërtime të kësaj sureje fisnike. Përveç emërtimeve që cekëm, ai përmend edhe këto: “En-Nisbetu”, “El-Ma’rifetu”, “El-Xhemal”, “El-Mukashkashetu”, “El-Meudhetu”, “Es-Samed”, “El-Maniatu”, “El-Muhdar”, “El-Munfiretu”, “El-Beraetu”, “El-Mudhekkiretu”, “En-Nur” dhe “El-Eman”.
Vlera e kësaj kaptine
Vetë emërtimet e shumta të kësaj kaptine tregojnë për vlerën e madhe të saj, mirëpo për vlerën e mirëfilltë të saj ka treguar edhe vetë i Dërguari i Allahut në shumë hadithe, të cilat gjenden pothuaj në të gjitha koleksionet e mëdha të Hadithit.
- Transmetojnë Muslimi, Darimiu dhe Nesaiu nga Ebu Derdaja të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “(Kul huvallahu ehad), është e barabartë me 1/3 e Kur’anit”[2]
- Transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Tubohuni (afrohuni), sepse do t’jua lexoj 1/3 e Kur’anit”. Kur njerëzit u tubuan, i Dërguari a.s. doli para masës dhe lexoi: (Kul huvallahu ehad…), pastaj hyri brenda, kurse ne shikuam njëri-tjetrin me habi dhe thamë: I Dërguari i Allahut na tha se do të na lexonte 1/3 e Kur’anit dhe tha se ky njoftim i kishte ardhur nga qielli?! – thotë Ebu Hurejra. Pas pak kohe, vazhdon ai, i Dërguari i Allahut doli prapë dhe na tha: “Unë ju thashë se do t’jua lexojë 1/3 e Kur’anit, pra dijeni se kjo (kaptina El-Ihlas) është sa 1/3 e Kur’anit”.
- Transmeton Buhariu nga Ebu Seid el Huderiu r.a. të ketë thënë: “U tha Resulullahu s.a.v.s shokëve të vet: “A mund ta lexojë dikush prej jush 1/3 e Kur’anit për një natë”. Ishte kjo një gjë e vështirë për ashabët, të cilët i thanë: O i Dërguar i Allahut, cili prej nesh mund ta përballojë këtë, për se i Dërguari a.s. u tha: “Kul huvallahu ehad…” është 1/3 e Kur’anit”
- Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi me sened të saktë nga Aishja r.a. të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut dërgoi njërin prej shokëve të vet si kryesues të një ekspedite vëzhguese, i cili gjatë qëndrimit në terren, shokëve të vet në çdo namaz ua këndonte kaptinën “El-Ihlas”, me të cilën po ashtu edhe përfundonte namazin. Kur u kthyen në Medinë, ata ia përmendën këtë veprim të tij Pejgamberit a.s., për se ai u tha: “Pyeteni shokun tuaj përse ka vepruar kështu?”. Kur e pyetën shokun e vet përse kishte vepruar kështu, ai u përgjigj: E dua këtë sure, meqenëse në të përmenden cilësitë e Mëshiruesit, dhe për këtë arsye e fal namazin me të. Atëherë i Dërguari i Allahut u tha atyre: “Shkoni e thuani shokut tuaj se edhe Allahu xh.sh. e do atë.”[3]
- Transmeton Buhariu nga Aishja r.a. të ketë thënë: “Çdoherë që i Dërguari a.s. binte për të fjetur, mblidhte shuplakat e tij, u frynte atyre dhe lexonte: ‘(Kul huvallahu ehad…), (Kul eudhu bi rabbil felek) dhe (Kul eudhu bi rabbi-n-nas)’, pastaj me shuplaka prekte trupin a tij aq sa arrinte, duke filluar prej kokës dhe fytyrës së tij. Këtë veprim e përsëriste tri herë radhazi.”[4]
- Dijetari i madh, Shejhul Islam-Ibn Tejmije ka thënë: “Një grup dijetarësh kanë thënë se Kur’ani famëlartë përmban tri dimensione tematike: 1/3 – ka zbritur për Tevhidin-Njëshmërinë e Allahut, 1/3 tjetër përmban tregime-rrëfime për popujt dhe për pejgamberët e kaluar, kurse 1/3 e fundit përmban urdhra dhe ndalesaDuke u nisur nga fakti se kaptina “El-Ihlas” përmban në vete konotacionet e dimensionit të Njëshmërisë së pastër të Allahut, d. m. th. Tevhidit, atëherë mund të thuhet me plot të drejtë se kjo sure simbolizon vërtet 1/3 e Kur’anit, ashtu siç ka pohuar edhe vetë i Dërguari a.s.”