Benachrichtigungen
Alles löschen

Ramazani, muaji i madh i ndryshimeve!

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
238 Ansichten
(@enesi)
Beiträge: 941
Noble Member
Themenstarter
 
[#5770]

Edhe një herë Ramazani po vjen me mirësitë dhe begatitë e tij të shumta në meset tona. Ai vjen për të na marrë për dore drejt mirësive të pafund, me të cilat Zoti i gjithësisë i shfaqet robëve të Tij të përkushtuar, sidomos në ditët e muajit të Kur’anit.
Edhe një herë muaji i Kur'anit po troket në dyert e muslimanëve, për t'u sjellë atyre nga Krijuesi i gjithësisë, lajmin e mirë të faljes, mëshirës dhe largimit nga dënimi i merituar… Po vjen muaji i ndërmjetësimit të madh: “Agjërimi dhe Kur'ani i ndërmjetësojnë robit tek All- llahu ditën e gjykimit. Agjërimi thotë: O Zot, unë ia ndalova ushqimin dhe epshet gjatë gjithë ditës, prandaj më prano mua për të! Ndërsa Kur'ani thotë: O Zot unë ia ndalova gjumin gjatë natës, prandaj më prano mua për të dhe i ndërmjetësojnë”.[1]

Edhe një herë tjetër muaji i Kur'anit udhëzues për njerëzit, po vjen për të sjellë me vete frymën e ndryshimit material e atij shpirtëror. “Muaji i Ramazanit që në të (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)”.[2]

Muaji i ndryshimit material
Në ditët e Ramazanit, organizmi i njeriut hyn në një trajtim të veçantë e special, që do t'i shërbejë atij, për të fituar forca të reja për përballimin e ditëve që e pasojnë.
Jo më kot Lukmani (a.s) e këshillonte të birin duke i thënë: "O biri im! Në rast se ti do ta mbingarkosh stomakun tënd me ushqim, atëherë mendimet tua do të flenë, do të zhduket nga koka jote gjykimi, e gjithashtu gjymtyrët e tua do të jenë të dobëta për të ushtruar adhurim".[3]

Mjekësia moderne e ka konsideruar agjërimin si ndërhyrjen pa bisturi! Ndërhyrje hyjnore për shërimin dhe pastrimin e organizmit të njeriut. Vetëm ata që agjërojnë këtë muaj të madhërueshëm e dijnë se përse po flas!

Kam qenë student në Damask, kur para pak muajsh, boksieri i famshëm Muhamed Ali kishte zbritur mik te kryemyftiu i Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro. Hirësia e Tij i kishte rekomanduar agjërimin me ujë për shërimin e sëmundjes së tij. Dhe nga mesi i “kurës”, legjenda e boksit botëror kishte pësuar përmirësime aq të dukshme, larg ilaçeve, saqë edhe mjekët e tij amerikanë kishin mbetur të habitur!

Ndërkohë për vlerat e agjërimit të Ramazanit, më së miri mund të flasin mjekët, që nëpërmjet studimeve të tyre bashkëkohore kanë arritur në rezultate vërtetë befasuese për dobinë e sijamit!

Muaji i ndryshimit shpirtëror
Besimtari gjatë këtij muaji shton adhurimet e tij, shton këndimin dhe kuptimin e Kur'anit, shton dhikrin, që është shpirti i marrëdhënies së njeriut me Zotin e tij. Vjen në xhami për të falur 20 rekatët e taravisë (synet i fortë), takohet me vëllezër e të afërm në tryeza iftaresh e tubime fetare. Shtrin dorën e bamirësisë ndaj vëllezërve të tij nevojtarë dhe shumëfishohen shpërblimet për të mirat e shumta që vepron.

Të gjitha këto janë mundësi për të gjetur vetveten e për t'u kthyer edhe më shumë se në ditët e tjera në natyrën e pastër me të cilën jemi lindur, sikurse është transmetuar edhe në hadithin e Bukhariut nga Ebu Hurejra (r.a): "Çdo fëmijë (njeri) lind me natyrë të pastër…".

E, pikërisht duke medituar në mirësitë e këtij muaji dhe mundësitë e përfitimit nga mëshira e madhe e Krijuesit Fuqiplotë në ditët e tij, nuk ka se si të mos mendojmë për mundësitë e shumta për të ndryshuar diçka të keqe që posedojmë, në të mirë, për veten, familjen e ata që na rrethojnë!

Ky muaj vjen për të na thirrur drejt suksesit dhe triumfit, pasi është traditë e muslimanëve dhe specifikë e tyre që Ramazanin ta shfrytëzojnë për të korrur fitore e triumfe në fusha të ndryshme të jetës së tyre. Dëshmitari më i mirë për këtë është vetë historia islame, e mbushur me këtë argument!

Pejgamberi i jonë (a.s), na mëson dhe na udhëzon se: "Kur vjen Ramazani hapen dyert e xhennetit, mbyllen dyert e xhehnemit dhe lidhen shejtanët".[4]

Zakonisht jemi mësuar të themi pjesën sipërfaqësore të këtij hadithi fisnik. Por a nuk duhet të kuptojmë nga kjo shprehje pejgamberike, se muslimani në këtë muaj duhet të rilidhë besën me Krijuesin e tij për t’u angazhuar me punë të mira, të cilat e bëjnë atë njeri të përfitojë xhennetin? Dhe çdo punë që njeriu vepron, me të cilën do të përfitojë xhennetin, është medoemos edhe një punë që do i vlejë edhe vetes, familjes dhe shoqërisë përreth!

Mirëpo sikur të kuptojmë të gjithë ne, si muslimanë, rëndësinë e këtij hadithi, pastaj të përpiqemi, secili në sferën e tij, ta praktikojmë në jetë, a nuk do jetë shoqëria jonë më e përparuar dhe vendi ynë më i fortë në të gjitha aspektet e jetës? Me fjalë të tjera, a nuk do të jetë shoqëria e jonë, pikërisht ajo shoqëri e begatuar nga Zoti i gjithësisë; që urdhëron për mirë dhe ndalon të keqen?!

Sot kemi shumë nevojë të hapim dyert e "xhenneteve" tona për të përfituar edhe shoqëria jonë nga mirësitë e tyre. Sepse në secilin prej nesh ka mirësi. Mjafton që të disiplinohemi për ta organizuar këtë të mirë, për ta dhënë më pas si duhet në shoqëri!
Të gjithë ne zotërojmë dhunti apo forca për të punuar edhe më mirë sesa punojmë çdo ditë, por mjafton të sakrifikojmë më tepër, që rezultatet e punëve tona të jenë edhe më të mëdha, edhe më të dukshëm, më të begata!

Ndërsa për pjesën e dytë të hadithit, mund të themi fare mirë se dyert e xhehnemit mbyllen dhe se çdo musliman duhet të luftojë sa të ketë mundësi me veten e tij që të mbyllë dyert e të keqes vetjake e të asaj shoqërore si pasojë, gjatë këtyre ditëve e në vazhdim, për të ndryshuar diçka negative në rrethet tona!

Duhet të përpiqemi sa të mundemi të mbyllim dyert e "xhehnemit" intelektual, politik, informativ, ekonomik e atij social në shoqërinë tonë, në mënyrë që ajo të përparojë edhe më shumë e të avancojë çdo ditë; e pastër dhe e ruajtur!

Po, vëllezër!
Ne duhet të mundohemi që me ardhjen e këtij muaji të mbyllim dyert e "xhehnemeve" në shoqërinë tonë, aq sa të kemi mundësi. Për ta konkretizuar mendimin, them: Mediat informative, të lexuara e të shkruara, mund të mbyllin shumë mirë dyert e "xhehnemeve" të lloj-llojshme në ekranet apo faqet e tyre gjatë këtij muaji. Le të mbyllin dyert e "xhehnemeve" të tyre, shtëpitë e ndryshme botuese, që në kopertinat e fletoreve, që kalojnë nëpër duart e atyre që mësojnë a,b,c- në e deri tek ata që marrin diplomat e pjekurisë e maturisë, botojnë foto të ndryshme të atyre që quhen "Figura VIP", sidomos ato foto që me të drejtë mund t'i konsiderojmë si arma sekrete e Iblisit; femra me llastimet dhe lakuriqësinë e saj relative…

Këto botime nuk i shërbejnë vetëm se rritjes së fantazisë denigruese tek këta të rinj, nxitjes së epsheve, joshjes dhe mbi të gjitha kthimin në normale dhe të natyrshme të vështrimit në atë që është e ndaluar!

Tregtarët të mbyllin dyert e "xhehnemeve" ekonomike, duke lëshuar sadopak në fitimet e tyre, në ndihmë të individëve të varfër me ekonomi të pa stabilizuar në shoqërinë tonë!

Të largojnë asortimentet e ndryshme të ndaluara, që kafshata e fëmijëve të jetë e pastër, që ata të rriten të pastër dhe shoqëria të zhvillohet natyrshëm, që edhe vendi ynë të qëndrojë i pastër e i begatë!

Politikanët të mbyllin dyert e "xhehnemeve" të debatit shterpë e pa dobi, duke hapur dyert e komunikimit ndërtues me masën, duke mbyllur paralelisht edhe masa dyert e "xhehnemit" të mosrespektimit dhe mosinteresimit për drejtuesit e saj!

Motër muslimane, vëlla musliman!
Le të përfitojmë nga hapja e dyerve të xhennetit dhe mbyllja e dyerve të xhehnemit, në këtë muaj, për të filluar lëvizje të brendshme ndërtuese, duke nisur nga vetvetja; larg intrigës, fjalëve të pavlera, thashethemeve, humbjes së kohës dhe veprimeve të dështuara!

Të përfitojmë nga lidhja e shejtanëve, për të lidhur edhe ne egoizmat dhe hipokrizitë, interesat në llogari të tjerëve dhe kurthet shkatërruese, që frymëzohen nga vetë shejtani i mallkuar!

Le të lidhim egoizmin, që shkatërron sinqeritetin!

Le të lidhim hipokrizinë, sepse një ditë do paraqitemi përpara Krijuesit, e mashtrimet atë ditë nuk do kenë më vlerë!

Të lidhim smirën, inatin dhe xhelozinë verbuese sepse ditët e kësaj bote janë të numëruara dhe çdo krijesë e ka një fund, e pranoi apo e refuzoi atë!

Të lidhim mospërfilljen ndaj njëri-tjetrit dhe të respektojmë çdo individ të shoqërisë tonë dhe mendimin e tij ndërtues, pasi ne jemi misionarë të ndërtimit, jo shkatërrimtarë!

Shoqëria jonë zotëron forca të jashtëzakonshme, që duke hapur dyert e "xhennetit", duke mbyllur dyert e "xhehnemit" e duke lidhur "shejtanët" e saj, mund të japë rezultate të mrekullueshme dhe dobiprurëse për krejt rrethet tona!

Ky pra, është një nga propozimet e dobishme të Islamit për ne, në këtë muaj të mirësisë hyjnore, i cili vjen përherë për të ndryshuar diçka në mesin tonë!

Ramazan Mubarek për mbarë popullin shqiptar, për mbarë ymetin islam!

Imam Muhamed Sytari,
Myfti i Zonës Shkodër


Our Lord! Grant unto us wives and offspring who will be the comfort of our eyes, and give us (the grace) to lead the righteous

 
Veröffentlicht : 24/07/2011 2:02 p.m.
Teilen: