Ndarja e zemrave në të shëndoshë, të sëmurë dhe të vdekur...
Ndarja e zemrave në të shëndoshë, të sëmurë dhe të vdekur.
Falënderuar qoftë Allahu i Cili iu shfaq miqve (robërve besimtarë) të Tij me atributet e Madhështisë së Tij, i ndriçoi zemrat e tyre me të shikuarit e Atributeve Absolute të Tij! Ai i Cili iu prezantua atyre me të mirat dhe begatitë që u dha atyre dhe ata e mësuan se Ai është Një, i Vetëm, i Pashoq dhe Absoluti në të gjitha Atributet e Tij më të Larta, të Cilit ia ka nevojën çdo krijesë. Se Ai nuk ka shok që t’i ngjajë Atij në Veten e Tij, as në Atributet e Tij dhe as në veprat e Tij. Ai është ashtu siç e ka cilësuar Veten e Tij dhe përmbi çdo cilësim të ndonjë prej krijesave të Tij.
Askush nuk mund ta Lavdërojë Atë ashtu siç i takon Atij, por Ai është ashtu siç e ka lavdëruar Veten e Tij në gjuhën e atyre të cilët i ka nderuar me dërgesën e tyre. Ai është i Pari, para të Cilit nuk ka pasur asgjë dhe i Fundit, pas të Cilit nuk ka asgjë. Më i Afërti, më pranë se i Cili nuk ka asgjë dhe krijesën nuk e pengon nga Ai as veshja e saj.
Ai është i Përjetshmi, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston, Një i Vetëm, Absoluti. I Vetmi në qëndrim të Përjetshëm, ndërsa çdo krijesë mbaron në afatin e saj të përcaktuar.
Ai është Gjithëdëgjuesi i Cili dëgjon zhurmën e zërave në gjuhët e ndryshme për nevojat e llojllojshme. Atë nuk e angazhon një zë nga një tjetër, as nuk i ngatërrohen çështjet dhe as nuk mërzitet nga këmbëngulja e këmbëngulësve kur lusin Atë.
Ai është Gjithëshikuesi i Cili sheh lëvizjen e milingonës së zezë, në shkëmbin e shurdhër, në natën e errët, qoftë në male apo në fusha.
Më e butë se kjo është Shikimi i Tij në përmbysjen e zemrës së robit të Tij dhe në ndryshimin e gjendjeve të tij. Nëse robi shkon për tek Ai, Ai e pranon atë, megjithëse lëvizja e robit në drejtim të Tij është mirësi nga Ai. E nëse robi i kthen shpinën Atij, Ai nuk e lë atë në dorën e armikut të tij dhe as nuk e lë në neglizhencë, por Ai është me të më i mëshirshëm se sa nëna me foshnjën e saj, e cila është e butë me të në mbajtjen e tij në barkun e saj, në gjidhënien e tij dhe në ushqyerjen e tij. Nëse robi pendohet, Ai gëzohet për pendimin e tij më shumë se ai i cili gjen devenë e tij të humbur bashkë me ushqimin dhe ujin e tij në një shkretëtirë të gjerë, ndërkohë që priste vdekjen dhe këputjen çdo lidhjeje.
E nëse ai këmbëngul në arrogancën e tij dhe nuk i kthehet shkaqeve për arritjen e mëshirës, por këmbëngul në mosbindje ndaj Tij dhe bën pajtim me armikun e Allahut e ndahet nga miku i Tij, atëherë ai ka merituar shkatërrimin. Dhe nuk shkatërrohet tek Allahu veçse vepërkeqi i shthurur, ngase Mëshira e Tij është e madhe dhe Bamirësia e Tij është e gjerë.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq. Një Zot i Vetëm dhe Absolut, për të Cilin ka nevojë çdo krijesë. I Lartë dhe Madhështor nga të paturit si Ai dhe të ngjashëm me Të. I Pastër nga kundërshtarët, të ngjashmit, ortakët dhe trajtat.
Askush nuk e pengon atë që Ai jep dhe askush nuk mund ta japë atë që ai e pengon. Nuk ka kthim të Vendimit të Tij dhe as mbikëqyrës të veprës së Tij; "E nëse Allahu dëshiron një të keqe (ndëshkim) për një popull, atëherë nuk ka më kthim mbrapa të tij dhe ata nuk do të gjejnë përveç Tij mbrojtës tjetër." [Er Raad: 11].
Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, plotësuesi i hakut të Tij, besniku i Tij në shpalljen e Tij dhe i zgjedhuri i Tij prej krijesave të Tij. Allahu e dërgoi atë mëshirë për botët, prijës për të devotshmit, hidhërim për mosbesimtarët dhe provë kundër të gjithë njerëzve. Allahu e dërgoi atë kur kishte kaluar kohë e gjatë pa të dërguar nga Ai dhe udhëzoi me të drejt rrugëve më të drejta e më të qarta. Allahu e bëri obligim për njerëzit bindjen ndaj tij, dashurinë e tij, madhërimin e tij, respektimin e tij dhe kryerjen e të gjitha atyre që i takojnë atij. Allahu i mbylli të gjitha dyert që të shpien në xhenetin e Tij dhe ato nuk i hapen askujt veçse nëpërmjet rrugës së tij.
Allahu i hapi atij gjoksin, ia hoqi barrën dhe ia ngriti emrin. Ai e hodhi përçmimin dhe përuljen mbi ata të cilët e kundërshtojnë urdhrin e tij (Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai është betuar për jetën e tij në Librin e Tij të qartë[1] dhe e ka bashkangjitur emrin e tij me Emrin e Vet, saqë nuk përmendet Allahu veçse përmendet me të edhe Muhamedi nëpër teshehude, hutbe dhe ezane.
Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vazhdoi me vendosmëri në çështjen e Allahut dhe nuk e kthente atë asgjë që i dilte para. Këmbëngulës në arritjen e kënaqësisë së Allahut, askush nuk e pengonte dot atë, deri sa bota u ndriçua me shpalljen e tij, me dritë të fortë dhe vezulluese. Njerëzit hynë në fenë e Allahut grupe-grupe dhe thirrja e tij u shtri ashtu si dielli nëpër kontinente. Feja e tij e drejtë arriti atje ku arrin dita dhe nata, pastaj Allahu e mori atë për të përmbushur premtimin e dhënë në Librin e Tij të qartë, pasi që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e komunikoi shpalljen, e kreu amanetin, e këshilloi popullin, luftoi në Rrugën e Allahut me një xhihad dhe përpjekje të vërtetë. Ai e ngriti Fenë dhe e la popullin e tij në rrugë të bardhë e të qartë për ndjekësit e saj, dhe tha: "Kjo është udha ime; unë ftoj për tek Allahu me dije të sigurt, unë dhe kushdo që më pason mua. Lavdi i qoftë Allahut dhe unë nuk jam prej idhujtarëve." [Jusuf: 110].
Në vijim:
Allahu i Madhëruar nuk i ka krijuar krijesat e Tij ashtu më kot dhe pa qëllim. Përkundrazi, Ai i bëri ata mbartës të amanetit dhe subjekt të urdhrave dhe ndalesave të Tij. Ai i ngarkoi ata që të kuptojnë udhëzimin e Tij në vija të përgjithshme dhe të hollësishme. Ai i ndau ata në të mirë e në të këqij dhe për çdonjërin prej tyre krijoi vendin e tij.
Ai u dha atyre mjetet e dijes dhe të punës: zemrën, të dëgjuarit, të shikuarit, gjymtyrët etj; mirësi nga Ai dhe Bujari. Kushdo që i përdor ato në bindje ndaj Tij dhe ndjek rrugën drejt njohjes së Tij ashtu siç e ka drejtuar Ai, dhe nuk kërkon rrugë tjetër nga ajo, ai është ngritur me falënderimin për këto mirësi që i janë dhënë dhe ka ndjekur rrugën drejt kënaqësisë së Allahut. Ndërsa ai i cili i përdor ato për qejfet dhe dëshirat e tij, pa ruajtur të drejtat e Krijuesit të tij në to, ai do të humbasë dhe do të pikëllohet gjatë kur të pyetet për këtë.
Kështu që është e domosdoshme bërja llogari për të drejtën e këtyre gjymtyrëve, sepse Allahu i Madhëruar thotë: "Me të vërtetë që të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në ditën e Gjykimit)." [El Isra: 36].
Përderisa zemra kundrejt këtyre gjymtyrëve është si mbreti komandues i ushtarëve të tij të cilët lëvizin sipas urdhrit të tij dhe ai i përdor ata si të dojë, kështu edhe gjymtyrët janë nën pushtetin dhe nënshtrimin e zemrës; prej saj e marrin qëndrueshmërinë në rrugën e drejtë apo devijimin nga ajo, e ndjekin në ato gjëra që ajo vendos t’i përmbahet me vendosshmëri apo që i bën të lejuara ato.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "A nuk gjendet në trup një copë mishi, e cila nëse rregullohet dhe bëhet mirë, atëherë rregullohet i gjithë trupi?!"[2]
Kështu që zemra është mbreti i gjymtyrëve të njeriut, ndërsa gjymtyrët janë zbatuese të asaj me të cilën ajo i urdhëron dhe pranues të asaj në të cilën ajo i drejton. Gjymtyrët nuk mund të bëjnë asgjë deri sa të marrin urdhër nga qëllimi dhe nijeti i saj. Ajo është përgjegjëse për të gjitha, pasi që çdo bari është përgjegjës për bagëtinë e tij.
Pikërisht për këtë shkak, përkujdesja më parësore e ndjekësve të rrugës drejt Allahut ka qenë rregullimi dhe drejtimi i zemrës, shikimi në sëmundjet e saj dhe gjetja e ilaçit të saj.
Dhe kur armiku i Allahut, Iblisi mësoi se e gjithë çështja është tek zemra dhe të mbështeturit në të, ai iu vërsul asaj me cytje dhe i erdhi nga dera e epsheve dhe dëshirave. Ai ia zbukuroi asaj gjendjet dhe veprat me të cilat e pengon atë nga rruga e drejtë. Ai i parashtron asaj shkaqet e rrëshqitjes duke i prerë kështu shkaqet e suksesit, dhe i ka ngritur asaj kurthet dhe laqet, nga të cilat edhe nëse shpëton, ajo nuk do të dalë pa u dëmtuar.
Kështu që nuk ka shpëtim nga intrigat dhe kurthet e djallit veçse me vazhdueshmërinë e të kërkuarit ndihmë nga Allahu i Lartësuar, përballjen me shkaqet e arritjes së Kënaqësisë së Tij, drejtimin dhe strehimin e saj tek Ai, kthimin tek Ai në lëvizjet dhe qëndrimin e saj, si dhe me vërtetimin e nënshtrimit të adhurimit i cili është edhe e para gjë me të cilën mvishet njeriu për të arritur të hyjë në sigurinë: "Mbi robët e Mi, ti nuk ke asnjë lloj pushteti." [El Hixhr: 42].
Ky adresim, adresimi i robërve tek Allahu është prerësi ndërmjet robit dhe djallit dhe arritja e tij (të qenurit rob i Allahut) është shkak i vërtetimit të gradës së të qenurit rob adhurues i Zotit të botëve dhe që e bën zemrën të ndiejë sinqeritetin në punë dhe qëndrueshmërinë në bindje. Nëse në zemër futet adhurimi i Allahut dhe sinqeriteti, njeriu bëhet prej të afërmve tek Allahu dhe përfshihet në përjashtimin: "Përveç robërve të Tu të sinqertë." [El Hixhr: 40].
Përderisa zemrat cilësohen me jetë dhe me të kundërtën e saj, në varësi të kësaj ato janë ndarë në tre gjendje zemrash:
1. Zemra e shëndoshë
Kjo është zemra e pastër, ku nuk ka për të shpëtuar askush në Ditën e Gjykimit përveç atij i cili shkon tek Allahu me këtë zemër; siç thotë Allahu i Lartësuar: "Atë ditë nuk do të bëjë dobi as pasuria dhe as fëmijët, përveç atij i cili vjen tek Allahu me zemër të pastër (prej shirkut dhe hipokrizisë)." [Es Shuara: 88-89].
Fjala "e pastër" është përdorur në formën sipërore në arabisht, sikur njeriut me zemër të pastër, pastërtia i është bërë atribut i pandarë. Ajo gjithashtu është antonim i zemrës së sëmurë (gjithmonë në arabisht).
Fjalët e njerëzve janë të ndryshme për sa i përket domethënies së zemrës së pastër e të shëndoshë dhe ato mund të përmblidhen me shprehjen: "Ajo është zemra e cila ka shpëtuar dhe është pastruar nga çdo lloj epshi dhe dëshire që kundërshton urdhrin e Allahut dhe ndalesën e Tij, si dhe nga çdo e dyshimtë apo mëdyshje që bie ndesh me njoftimin e Allahut. Ajo zemër është pastruar nga të qenurit në robërinë e dikujt tjetër përveç Allahut si dhe nga të marrurit për gjykues tjetërkënd përveç të Dërguarit të Tij.
Ajo është pastruar me dashurinë për Allahun dhe me të marrurit për gjykues të Dërguarin e Tij, me frikë nga Ai, me shpresë tek Ai, duke iu mbështetur Atij, duke iu kthyer Atij me pendim, duke iu nënshtruar vetëm Atij, duke e paraprirë kënaqësinë e Tij në çdo gjendje dhe duke iu larguar zemërimit të Tij me çdo mënyrë. Kjo është esenca e adhurimit dhe të qenurit rob vetëm i Allahut, dhe kjo nuk i takon veçse Allahut, Një.
Kështu, zemra e pastër është ajo zemër e cila ka shpëtuar nga të pasurit vend për shokvënie Allahut në të, të çdo lloj forme qoftë. Ajo e ka veçuar adhurimin e saj vetëm për Allahun e Lartësuar; me dëshirë, dashuri, mbështetje, dorëzim, nënshtrim, frikë dhe shpresë.
Ajo zemër e bën gjithçka për Hir të Allahut; nëse do, do për Allahun, nëse urren, urren për Allahun, nëse jep, jep për Allahun dhe nëse mban, mban për Allahun.
Por asaj nuk i mjafton kjo pa u pastruar nga të nënshtruarit dhe të marrit për gjykues tjetërkënd përveç të Dërguarit të Allahut.
Ky besimtar e lidh zemrën e tij fort në pasimin dhe marjen për shembull të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe askënd tjetër, qoftë në fjalë apo në vepra; në fjalët e zemrës, të cilat janë bindjet dhe në fjalët e gjuhës, të cilat janë treguese të asaj që ndodhet në zemër.
Punët e zemrës janë: dëshira, dashuria, urrejtja dhe efektet e tyre, po ashtu edhe punët e gjymtyrëve. Dhe për të gjitha këto, të mëdhatë e të imëtat, është gjykues ai me të cilin ka ardhur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Zemra e tij nuk paraprin askënd para atij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!); as në bindje, as në fjalë dhe as në vepër. Ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: "O ju që keni besuar! Mos vendosni para se të vendosë Allahu dhe i Dërguari i Tij." [El Huxhurat: 1]. D.m.th: Mos flisni para se të flasë ai dhe mos veproni deri sa t’iu urdhërojë ai.
Dikush prej selefëve ka thënë: Për çdo vepër sado e vogël qoftë hapet një dosje dhe shkruhet: Përse? Si? D.m.th: Përse e bëre (a e bëre për Hir të Allahut apo jo?) dhe si e bëre (a e bëre në përputhje me sunetin apo jo)?
E para: është pyetje për shkakun e kryerjes së veprës, shtytësin dhe nxitësin e saj; a ka qenë ndonjë fitim i shpejtë prej fitimeve të vepruesit të saj dhe për të arritur ndonjë qëllim të tij në këtë dynja: që ta duan dhe ta lavdërojnë njerëzit, apo nga frika se ata e shajnë. Apo për të arritur diçka që dëshiron në këtë botë apo të largojë ndonjë gjë të urryer.
Apo shtytësi i saj është të ngriturit me hakun e adhurimit dhe kërkimin e mëshirës dhe të afruarit tek Allahu i Lartëmadhëruar.
Pyetja këtu është: A e ke kryer këtë vepër për Zotin tënd, apo për veten tënde dhe dëshirat e tua?
Ndërsa e dyta është pyetje për pasimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në atë adhurim; a ka qenë kjo vepër prej atyre që Unë të kam bërë të ligjshme në gjuhën e të Dërguarit Tim, apo ka qenë një vepër e paligjshme dhe jo në përputhje me Kënaqësinë Time?
E para është pyetje për sinqeritetin, ndërsa e dyta pyetje për pasimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pa të cilat Allahu nuk pranon asnjë vepër.
Rruga e të shpëtuarit nga pyetja e parë: është pastrimi i qëllimit vetëm për Allahun.
Dhe rruga e të shpëtuarit nga pyetja e dytë: është vërtetimi i pasimit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe pastrimi i zemrës nga ndonjë dëshirim i ndryshimit të qëllimit dhe sinqeritetit për Allahun, apo ndonjë dëshirë që kundërshton pasimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Kjo është e vërteta e zemrës së shëndoshë për të cilën është garantuar shpëtimi dhe lumturia e përhershme.
2. Zemra e vdekur[/size
]Lloji i dytë i zemrave është zemra e kundërt me të parën, zemra e vdekur në të cilën nuk ka jetë. Kjo zemër nuk e njeh Zotin e saj, nuk e adhuron Atë ashtu si e ka urdhëruar dhe as nuk e do Atë ashtu si Ai pëlqen. Përkundrazi, ajo është e pushtuar nga epshet, dëfrimet dhe zemërimi i Zotit të saj për shkak të shthurjes së saj. Ajo nuk do t’ia dijë nëse me epshet dhe dëshirat e saj fiton kënaqësinë e Zotit të saj apo zemërimin e Tij. Ajo është rob i tjetërkujt përveç Allahut; në dashuri, frikë, shpresë, kënaqësi, zemërim, madhërim i Dërguari i Allahut nënshtrim.
Nëse do diçka apo dikë, ajo e do për hir të epsheve të saj dhe nëse urren, urren për epshet e saj. Nëse jep, jep për epshet e saj e nëse mban, mban dhe nuk jep për hir të epsheve të saj. Epshi i saj është më i privilegjuar dhe më i dashur se kënaqja e Zotit të saj. Epshi është prijës i saj, dëfrimi komandues i saj, injoranca udhëheqës i saj dhe hutimi anija e saj. Me të menduarit për arritjen e sendeve të kësaj dynjaje ajo është mbytur. Me marramendjen e epsheve dhe dashurinë e kalimtares ajo është dehur. Thirret për tek Allahu dhe banesa e përhershme nga një vend i largët, por ajo nuk i përgjigjet këshilluesit dhe ndjek çdo djall të pabindur e tiran. Dynjaja është ajo që e mërzit dhe e kënaq atë. Epshi e verbon nga çdo gjë tjetër përveç të kotës dhe të pavërtetës.
Shoqërimi i zotëruesit të kësaj zemre është sëmundje, të jetuarit me të është sëmundje dhe të qëndruarit me të është shkatërrim.