Letër tregtarit
Sigurimi i jetës dhe fitimi i mjeteve për jetesën është një nga gjërat më të rëndësishme në të cilën na nxit feja jonë e pastër. Allahu i Lartësuar thotë: "Ndërsa ditën e bëmë për gjallërim" (Nebe`ë, 11). Gjithashtu, thotë: "Ai (Allahu) e diti se nga ju do të ketë të sëmurë dhe të tjerë që gjallërojnë nëpër tokë duke kërkuar begatit e Allahut dhe të tjerë që do të luftojnë në rrugën e Allahut"(Muzemil 20)
Tregtia është një nga profesionet më të hershme të njeriut, një nga mjetet për të siguruar jetesën. Në Islam, tregtia shihet si forma më e mirë e fitimit; dijetarët Islamë nënvijëzojnë se është rruga kryesore në sigurimin e të ardhurave.
Nga ana tjetër, Islami është fe e drejtësisë, mëshirës, tolerancës, çiltërsisë, besnikërisë, këshillimit, nderit, veçori këto që te myslimani nuk vërehen përpos se gjatë punës dhe raporteve me të tjerët.
Kështu që, te myslimani, nëse një raport pune me njerëzit shpaloset me arrogancë, padrejtësi, gënjeshtra, tradhti, ligësi, dhe zili, atëherë ai gjendet larg çdo forme të Islamit. Një njeri i këtillë është mëkatar, ngrënës i pasurisë së të tjerëve pa të drejtë dhe, si i tillë, është i zhytur kokë e këmbë në mëkate. Sa herë që në marrëdhëniet tregtare sundon shpirti Islam, përhapet dashuria, vëllazëria, bashkëpunimi mes tyre dhe mëshira e Allahut i kaplon, prej nga edhe vjen begatia nëpër shtëpitë e tyre dhe ata do të jetojnë në qetësi, paqe dhe siguri.
Prandaj, tregtarët është e domosdoshme të kenë parasysh dispozitat dhe këshillat të cilave duhet t"u përmbahen gjatë marrëdhënieve me njerëzit, pastaj të njihen edhe me gjërat e ndaluara, nga të cilat duhet të largohen, duke shpalosur kësisoj gjatë punës së tyre moralin e lartë Islam.
Në këtë shkrim jemi munduar të parashtrojmë sa më përmbledhtas disa nga rregullat më të rëndësishme që tregtari mysliman duhet të ketë parasysh gjatë punës së tij. Gjithashtu, kemi përmendur edhe ndalesat më të përhapura në të cilat bien shpeshherë syresh, ndoshta edhe pavetëdije. Jemi munduar t"i cekim në formë të përgjithësuar, duke iu larguar zgjerimit, lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë nga ata që e kuptojnë të saktën dhe kapen për të dhe kuptojnë të kotën dhe largohen nga ajo.
1. Ruajtja e nderit:
Gjatë tregtisë, besimtari mysliman duhet të synojë nderimin dhe respektimin e vetvetes; nëpërmjet pasurisë së fituar duhet të përmbushë urdhrat e Allahut, të mbrojë fëmijët dhe familjen nga nevoja dhe lëmosha. Muhamedi (salAllahu alejhi ve selem) thotë: "Që ndonjëri prej jush ta marrë litarin dhe të mbledhë dru dhe t"i vejë në shpinë, është më mirë për të sesa të shkojë te dikush që Allahu i ka dhënë pasuri dhe të kërkojë lëmosh nga ai, i dha ai apo jo" (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
2. Tregtari i sinqertë:
Sinqeriteti është kulmi i vlerave të larta dhe themeli i çdo raporti të mirëfilltë njerëzor, çka te tregtarët dhe shitësit është shpeshherë e vështirë ta qokësh. Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) thotë: "Tregtari i sinqertë dhe besnik do të jetë në xhenet, nën shoqërinë e pejgamberëve, sidikinëve (të sinqertit) dhe shehidëve" (shënon Tirmidhiu dhe e cilëson të saktë).
është vërtet e vështirë, që gjatë raportit me njerëzit, tregtari të tregohet i sinqertë, andaj edhe Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) premtoi se fundi i tregtarit të sinqertë është i lavdëruar, dhe rezultati i tij është ai që do të shpresonte çdonjëri.
Sinqeriteti, përveç shpërblimit që sjell në botën tjetër, ka dobi të shumta edhe për këtë botë. I Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) premtoi reflektim të begatisë në tregtinë që bëhet me sinqeritet. Ai ka thënë: “Nëse ata dy (shitësi dhe blerësi) janë të sinqertë dhe ia sqarojnë të gjitha njëri-tjetrit, në tregtinë e tyre do të ketë bereqet, ndërkohë që, nëse gënjejnë dhe fshehin diçka (ndonjë mangësi, apo diçka tjetër), do të largohet bereqeti nga tregtia e tyreâ€