Dr. Mustafë Bajrami / Dubai
Letër drejtuar kombit, vëllaut tim shqiptar!
Të drejtohem me shpresën dhe dëshirën të më ndëgjosh. Të drejtohem me fjalën e nderit, me zërin e zemrës.
Erdhi koha të mbështillesh me petkun e pranverës dhe të bëhesh gjelbrim i vërtetë. Tani, le të fluturojnë tek ti zogjët, bëhu burim uji, të vijnë pran teje të gjithë ata që ndjejnë etjen. Bëhu posi qiriu i cili digjet, e të tjerët i ndriqon, bëhu dritë, që të vrapojnë njerëzit tek ti, t'i arratisin errësirat në të cilat nuk po shihet asgjë. Përqafoj njerëzit në atë mënyrë, po si të ishe një nënë e vërtetë e tyre, të bëhesh aso nëne në krahrorin e së cilës do të gjejnë ngrohtësinë e jetës, e cila ndoshta u mungon atyre. Sikur që Perëndia pati mëshirë në ty, edhe ti ndriqo ata të cilët i ke për rreth, ndriqo në atë mënyrë që ti të bëhesh njeri i vërtetë për njerëzit. Po që se arrite ta bëshë këte, dije se një ditë edhe ata të cilët sot ndajnë, thurin vargje për urrejtje, ndasi e frakcione, të gjithë ata para teje do të presin në rreshta vetëm e vetëm që të shohin ty, të takohen me ty.
Shqiptar! Ti duhet të bëhesh po si retë të cilat thejnë nxehtësinë e diellit që me rrezet e tij di të përvlojë. Posi ato re të cilat njerëzve gjithnjë u'a flladisin jetën e tyre, të jeshë posi retë të cilat lëshojnë shiun i cili freskon çdo gjë, pa bërë dallime! Të vadisësh fushat, malet e luginat, të freskosh zemrat e shpirtërat të cilët i plagosi jeta e rëndë, të jeshë ujë i ëmbël për të gjithë, për rrethin tënd, të jeshë ujë, gugullima e të cilit freskon çdonjërin që ndëgjon zërin tënd. Të jeshë burim inspirimi i cili, edhe nëse mbyllën të gjithë gojat, edhe nëse harxhohen oqeanët e ngjyrave, edhe nëse çdo gjë pushon së vepruari, burimi yt të mos shterret. Fjala dhe vepra jote të shërbejnë vendstrehim për të gjithë ata që mbetën pa streh, për të gjithë ata që mbetën pa më të afërmit e tyre. Të jeshë strehim për të gjithë ata që kanë nevojë për emrin njeri. Të jeshë, dhe pa tjetër të jeshë shqipëtar dhe njeri i vërtetë.
Sot kur disa të mjerë po tentojnë që në mes nesh të krijojnë atmosfere në të cilën ngulfaten të gjallët, të bëjnë përqarje partiake, popullore, fetare e njerëzore, mu sot, kur neve më së shumti na nevojitet unineti, ti, qëndro besnik vlerave të cilat i fituam me gjak. Atyre që po mundohen të na mbyllin rrugët kah ardhmëria, ti, duhet ti'u thuash ndal. Ata të cilët po mundohen të shkatërrojnë urat, themelet e së cilave i ndërtuam me eshtrat e popullit tonë, ti atyre mos u lejo të jenë pengesë për ty, për ardhmërinë e popullit tënd. Mos lejo të jeshë predhë as e atyre që nuk dijnë tjetër pos llafe e llafe bile edhe nga më shpifëset për momentin.
Gurët të cilët të janë hedhur në kokë, flakëroi ata në qiell që të bëhen ata mesabiha, meteorë për popullin tënd, ta ndriqojnë ate, sepse ai, mu sot kanë nëvojë për dritën e qiellit. Ashpërsia dhe dhuna që është përhapur në mesin tënd, nga ti duhet të shëndrohet në butësi, paqë e dashuri për të gjithë ne. Para së gjithash, të ruhesh nga viruset e kohës. Kjo që po të them tani, dije se ishte metoda për suksese të profetëve të Allahut. Kjo duhet të jetë dhënja e njeriut për të cilin Kosova ka më së shumti nevojë. Ky është mësim për njerëzit të cilët filluan rrugën e tyre për liri, rrugë e cila nuk guxon të mbetet në gjysmën e saj.
Modestia, pjekuria dhe burrëria janë tiparet e njeriut i cili vërtetë meriton të quhet njeri. Njerëzit e tillë nuk ndryshojnë leht për hirë të momenteve dhe vështërsive të kohës. Ata janë të matur, aspak konfuz, nuk guxojnë të biejnë nën ndikimin as të ndodhive që i kanë përreth, nuk guxojnë të hutohen as para ndryshimeve që mund të jenë posi rrufeja shumë herë e as të ti përkulen furtunave të jetës. Në të kundërtën, ata do të jenë një dhe, posi ai në të cilin të hajt mbjellin çka dëshirojnë dhe për kend të dëshirojnë. Ata duhet të jenë posi zehja e cila pas vlimeve e përvlimeve të shumta, në fund përfitohet ari nga ato, duhet të jenë posi granitët të cilët edhe në furtunat më të ashpërta, mbesin granite. Ata në çfarëdo rasti nuk guxojnë të devijojnë.
Vëllau im shqiptar!
Sot duhet të jeshë guximtar dhe guximshëm ti hudhesh jetës mbi shpindë. Kur të kritikosh, s'pari fillo nga vetvetja. Pikënisje ta keshë karakterin tënd, dhe parasëgjithash ta ruash ate. Njërëzve buzëqeshi ashtu që fytyra jote të jetë inspirim dhe shpresë. Dije se kjo është natyrë e jote. Kujto njëherë kur i pari yt u krijua. Ai u "përkund" nga engjujt, bile edhe "ninulla i kënduan" atij. Po, e dinin se bijtë e tij do ta banojnë Kosovën heroike. I gjithë qielli këndoi atë ditë. Edhe Perëndia atë ditë shumë u gëzua! U gëzua aq shumë sa Kosovën i premtoi atij. Në anën tjetër, djajt qëndronin të hutuar. Obobo thanë! Si është e mundur. Kosova a nuk është e të zinjëve? Pyetën njëri tjetrin! Por ç'ti bëshë. Një ditë, ti gabove. Ishte ajo ditë kur zgjate dorën kah molla e mallkuar! Për fat të mirë nuk e ngrëne të tërën! Dhe ja sot tu fal gabimi! Premtimin e Perëndisë po e sheh me sytë e tu. Kosova përgjithmonë e ruajti shejtërinë e saj, dhe ate me punën tënde, me djersën tënde, me gjakun tënd dhe vëllezërve tu.
Tani është koha që ti, edhe një herë ti mbroshë vlerat e tua. Allahu është pran nesh. Ai të pret, ngase të patë premtuar se edhe nëse gabon, për shkak të pendimit tënd, gabimin do ta falë. Ruaju të mos bjerësh më në mëri, urrejtje, çmendi, vllavrasje e humbje! Mos bjerë pre e hartave të djajve. Mos iu afro kurthës së tyre, ngase ata nuk do të pushojnë. Ata, çdo ditë përgadisin plane që edhe një herë të kthehen tek ne. Ata janë të mallkuarit e historisë. Në qoftëse për çfarëdo arësye, një ditë gabove, vepro posi Ademi; drejtohu, eja në vete, dhe pranoje gabimin tënd. Drejtohu ka dera e shtëpisë me nëntëdhjetë e nëntë plisa të bardhë. Kërko veten tënde aty, dhe aty do ta gjeshë të kaluarën tënde. Po nuk e bëre këtë, dije se do të jeshë përgjegjës për veprën tënde. Nëse me kujdes do të lexosh fletët e saja, aty do të gjeshë edhe emra të cilët edhe ata, posi ti, mund të kenë gabuar. Mundohu ti arësyetosh, sepse, edhe ata janë njerëz si ti. Mundohu t'i falësh. Dhe kur t'i falësh, ngritu dhe ndihmoi ata. Mos e hargjo kohën tënde duke i numruar gabimet e të kaluarës dhe njerëzve që i pate për rreth. Ajo, për ty është një punë e kotë. Por, në qoftëse sheh se ke dëshirë të mirresh me numrimin e mëkateve, atëherë mirru me mëkatet tua, dhe ate në atë mënyrë, që kur ti pashë ato të të lemerisin. Të të përkujtojnë nevojën e Kosovës për ty.
Kur ti drejtohesh dikujt, drejtohju me drandafile në duar, dhe duke kaluar rrugës, njerëzit le ta ndiejnë erën e lules në ty. Ishte koha kur duhej të të digjesh posi qiriu për atdheun tonë, dhe duke u djegur, të lëshosje aromë të mirë për të tjerët. Derisa ti vazhdoje të jeshë në këtë gjendje, nuk u anko se je në pozitë të vështirë. Andaj edhe je i lire, je ne vendin tënd pasi një kohe u dëbove, u dhunove, ta pinë gjakun tënd. E sot je në Kosovën tënde, në Kosovën e lirë.
Kur të ecësh, ec me fytyrë te poshtë por me krenari. Me kokë përpjetë ec vetëm atëherë kur dëshiron ti prezentosh vlerat e tua njerëzore. Përndryshe krenaria e tepërt e ytja do ta thenë tehun, do të poshtëron para njerëzve tu. Një ditë, ti mund ta ndjeshë veten të priviligjuar nga njerëzit e tu. Nëse je i kapluar nga një ndjenjë e tillë, dije se je kapluar nga një sëmurje e atillë që njerëzit të ikin prej teje. Ajo të qon në drejtim të kundërt nga që duhet të shkosh atje, ajo do të jetë shkak i mjaftueshëm për rrethin tënd që ty të braktisin, ndërsa më vonë edhe nëse dëshiron ti përfitosh ata, ata më nuk do të vijnë. Andaj, edhe një herë të këshilloj, bëhu modest, i menqur, i urtë, bëhu posi trungu i hurmës që nuk di të bie në tokë edhe atë herë kur furtunat dëshirojnë ta nxjerrin nga dheu, bëhu posi ajo hurmë e cila, edhe pse të gjithë për te thonë se është e ëmbël, shëruese, ajo, asnjëherë nuk tha se është më e mira. Ata të cilët e shohin vehten të madh, të cilët imagjinojnë se kanë cilësi të mbinatyrshme, të cilët nga të tjerët presin vetëm nderime, lavdata e urata, ata të cilët biejnë e ngritën me mendjemadhësi, edhe nëse tani janë të kënaqur, dije se një ditë do të jenë të poshtëruar. Ata, historia do ti quan fundërrinë e letrave të saja të pluhurosura.
Shqiptar! Po pate guximin, ballafaqohu me te keqen, mërinë e armiqësinë mes teje dhe vëllaut tënd! Shpore nga ti pandershmërinë! Dhunës shkulja rrënjet, merrja dheun që e ka ndër këmbë! Shkele ate me thembër të këmbës! Dije dhe mësoje se Allahun do ta keshë afër! Frenoje ndjenjën e së keqës dhe ate, me besimin se Zoti do të hakmirret për te! Në vend që të gjindesh në rrugën e epshit dhe shfrenimeve, mundohu, por patjetër mundohu që të jesh në atë rrugë që Allahu dëshiron t'i sheh njerëzit në te!
Çlirohu nga ajo peshë e mërisë që të ka kërrysur shpindën tënde. Po pate sukses, dije se je në rrugë të mbarë! Në të kundërtën, je në rrugë të gabuar. Në te, një ditë do të përjetoshë dhimbjen më të idhët të gurbetit, ngase ti edhe nëse je në vendin tënd, nuk do të keshë të afërmit tu pranë. Ti, do të jeshë i huaj, i huaj në vendin tënd, në atdheun tënd, në atë lagjen tënde në të cilën fëmijërinë e kalove duke luajtur me guralecë, me vëllezërit dhe shokët tu. Dije se më, askush nuk do të afrohet. Dije se do të jeshë mërgimtar që historia nuk e falë më! Pra, drejtohu, eja në vete, dilju në krah vlerave njerëzore, dhe tregoje vehten se je shqipëtarë!
Për mundin që po e derdh të fitosh edhe një herë vlerat që më parë ndoshta i pate humbur, sikur njeriu kur merr frytin e farave të mbjellura në tokë, kur të vie stina e tyre, jo nga dhjetë, jo nga njëzet, por një qind herë më shumë do ti korrësh ato. Prandaj, mos prit, mos u ndal, hudhi andaj e këndej farat e mirësisë, farat e së bukurës, të virtyteve. Fshije dryshkun që je mbështjellur me te, jeto ashtu siç hije të ka. Jeto në atë mënyrë që edhe ti të jeshë një tullë e murit të ardhmërisë të cilën po e ndërtojmë! Andaj shpejto! Nëse në jetën tënde jetove në mundime, ndihmoi të tjerët që ata të kenë jetë të mirë! Të keshë derte po, të jetosh me derte po, të përjetosh dertet gjithashtu po, por mos lejo të bëhesh dert për të tjerët. Mundohu që njerëzve tu zgjidhësh dertet e tyre. Bëhu i tillë që njerëzit të kenë nevojë për ty! Posi ajo pemë nën hijen e së cilës ata do të gjejnë prehjen, rahatinë, flladin e qetësinë e shpirtit të tyre. Tek ti të vrapojnë të gjithë ata të cilët vuajtën, humbën bukurinë e jetës, të dobëtit, të shkelurit, bëhu i atillë që afër teje të ndjehen të sigurt dhe të qetë.
Shqiptar! Ec përpara posi lumi i cili nuk di të ndalur!
Largoje nga sytë perden e ndasisë! Ata të cilët tek ti janë drejtuar për ndonjë nevojë mos i mashtro! Njerëzit të cilët kanë nevojë për ndihmën tënde, mos i zhgënje. Vrapo që të jeshë i pari në shërbim të shoqërisë sate!
Ngritu, dhe ngritu vetëm me ndjenjën e së mirës! Bëhu ciceron i mirësisë! Këmbët të cilat lodhën në vepra të mira, duart e plasaritura në shërbim të popullit, zemrat të cilat qajnë për të mirën e njeriut, janë të shejta gadi sa edhe Qabja. Thuaj Allahut: "Urdhëro, lebbejk"! Thuaj, dje ditëm të digjemi për vendin tonë e sot dijmë ta ndërtojmë. Andaj, mos rri ulur, ngritu, ec, vrapo, shpejto ka vlerat njerëzore, përfitojë ato. Nëse vrapove, nëse shpejtove, ato do ti gjeshë, do ti mbërishë dhe do t'i marrësh që të shërbehesh me to, jepiu edhe të tjerëve, dhe thuaju niashtu siç unë po të them ty; "Ja sot ja kurrë të punojmë". Dije se Kosova, e tërë shqiptaria ka nevojë për ty, për të gjithë ne. Dije se je dhe duhet të mbesësh shqipëtar.
Flamujt, të bukur duken vetëm mbi supet e njerëzve të cilët janë duke ecur përpara. Bletët janë bletë me punën, shërbimin dhe mjaltën e ëmbël të tyre. Ecja përpara e ushtarit, është më e bukur se qëndrimi i tij në vend. Prandaj, ngritu, mos rri. Le të valon flamuri i pamvarsisë mbi supet tua, mbushi koshiqet e Arbërisë me mjaltën e së bukurës, posi të ishe bletë punëtore, bëhu i vyeshëm! Bëhu i gatshëm ti përgjigjesh gjithmonë kërkesave popullore. Andaj, gjithmonë të jeshë në tetik! Perden që ke përpara hudhe. Njërin sy mbaje hapur, përcille zërin i cili po vie dhe përqëndrohu në pritje! Urdhëri pa tjetër do të vijë. Atë ditë ta lëvizësh gishtin, të keqen ta qëllohet në ballë, do të shohësh si bie e poshtëruar para këmbëve tua. Ajo ditë, pa tjetër do të vijë. Asaj dite sot po i këndon Kosova, bota do ti buzëqeshë. Është ajo ditë të cilën Zoti e quajti "jevmu'l-fet'h", të tjerët "independent" e ne e quajmë Dita e Pavarësisë.
(Letra është shkruar menjëher pas lufte. Është shtypur në mijëra ekzemplarë dhe i është shpërndarë bijëve të kombit)
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit www.mesazhi.com

“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.â€