Besimtari duhet që të jetë gjithmonë me Allahun, qoftë kur të ndjehet i dobët por edhe kur të jetë në formë, në varfëri dhe në mirëqenie, në gëzim dhe në pikëllim, në periudhën e fëmijërisë, por edhe në pleqëri, si në pikëpamje të jashtme, ashtu edhe nga ana shpirtërore.
Është, me të vërtetë, bukur të flasësh për heronjtë, që historinë kanë shënuar, për reformatorët, udhëheqësit, shkencëtarët dhe personalitete të tjera, por edhe më bukur është të flasësh për të dërguarit dhe pejgamberët, në krye me Muhammedin, s.a.v.s.
Shumë më e bukur dhe madhështore, nga e gjithë kjo, është të flasësh mbi lartësimin e Krijuesit dhe mbi emrat dhe cilësitë e Tij të bukur. Në çdo moment duhet qenë të vetëdijshëm ndaj Allahut të Madhërishëm, pasi që kështu na këshillon vetë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ku thotë: “Mendo për Allahun në mirësi, të të mendojë Ai ty në fatkeqësi.” (Suneni i Tirmidhiut, 2516.)
Duhet që të vazhdojmë në mënyrë permanente të përmendim Allahun dhe ta njohim Atë nëpërmjet emrave të bukur dhe cilësive të Tij të lartësuara. Vetëdija mbi Zotin na bën që të ndjehemi të relaksuar në kohë mërzie, të sigurt në momente frike, të fuqishëm kur të dobësohemi, të kënaqur kur edhe të ngushtohemi!
Allahu i Madhërishëm është burimi i nderit dhe fuqisë, që s’kanë të sosur asnjëherë dhe as që njohin ndonjë kufi.
Të gjithë njerëzit, pavarësisht se janë të fuqishëm, të pasur, autoritar, të gjithë, para ose pas, do të ndjejnë nevojën e të kthyerit kah Allahu. Mirëpo, shumë prej tyre këtë e bëjnë kur arrijnë përballë “murrit” dhe kur të mos gjejnë ndonjë shteg tjetër. Atëherë kur dështimi të trokas, kur sëmundja të bëhet e padurueshme, dhe kur të përballet me shenjat e para të afrisë së vdekjes, atëherë pëshpërit: “O Allah!”
Ata që ndonjëherë në jetë kanë mohuar ekzistimin e Allahut, madje edhe përfaqësuesit e ateizmit, të cilët pjesën më të madhe te jetës së tyre e kanë harxhuar duke udhëtuar dhe mbajtur ligjërata për t’i bindur njerëzit se Zoti nuk e ekziston, të tillët me t’u përballur me fatkeqësitë e jetës, të gjithë kuptojnë se sa janë të pafuqishëm dhe me një brengosje të madhe apo në mënyrë instiktive pëshpëritin: “O Allah!”
Edhe Faraoni, i cili qe lavdëruar me fjalët: “Unë jam Zoti juaj, i Lartësuari, dhe nuk njoh tjetër Zot, pos vetes”, në fund të jetës së tij u detyrua ta pranojë dhe besojë Allahun e Madhërishëm. Kur deti u tërbua dhe jeta iu kërcënua, dhe kur asgjë tjetër nuk i mbeti, thërriti: “Dëshmojë se nuk ka zot tjetër, përpos Zotit të Beni Israilëve (Allahut).” Pra, në këto momente të fundit të jetës së tij, Faraoni e besoi Allahun e Madhërishëm. U pendua dhe e thirri Krijuesin e tij, mirëpo ishte gjithçka ishte vonë.
Allahu i Madhërishëm thotë:
“Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve! Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim prej detit) me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje. Vërtet, ekziston një shumicë njerëzish që nuk hulumtojnë argumentet Tona.” (Junus, 91.)
Të shumtë janë ata që janë të paturpshëm dhe i shmangen Krijuesit të tyre, pa menduar për pasojat, të dhënë pas kësaj bote, duke renduar pas mirësive, pushtetit dhe të bukurës, pa i hedhur sytë anash dhe tek në fund i kthehen Zotit, kur atëherë bëhet vonë dhe kur s’ka kurrfarë dobie. Ky është momenti i vdekjes, moment kur njeriu fillon t’i humbas dëshirat, e ndërkohe arrin premtimi i Allahut, i cili kërkon besimin në botën e padukshme, besimin në përcaktimin e Allahut, gjëra që, bash në momentin e fundit qartësohen plotësisht.
Kjo është një kohë, në cilën nuk ka dobi për atë që nuk ka besuar më parë.
“Por besimi i tyre, kur e vërejtën dënimin tonë, nuk u bëri dobi. Ky është ligj i All-llahut (i kahershëm) ndaj robërve të Tij dhe aty, në atë çast, pësuan disfatë jobesimtarët.” (El-Gafir, 85)
Le të mendojmë mbi fatin e të gjithë diktarëve, emrat e të cilëve i ka shënuar historia, si p.sh., Xhingis-Kan, Hulag, Hitleri dhe Stalini. Diktatorë të cilët asnjëherë, ndoshta, nuk kanë menduar të besojnë në Allahun. Besimtarët mund të pyesin se pse nuk i kthehen Allahun dhe të mos i besojnë Atij me plot dëshirë, duke mos e pritur momentin e fundit, kur zemrat e tyre “rastësisht” t’i kaplojë shqetësimi?
Ç’na kushton ne kjo? Jeta jonë, larg Allahut, aspak nuk ka për të qenë e lumtur dhe e shëndosh. Besimi nuk e pakëson riskun tonë, përkundrazi, ai do të shtohet dhe kështu edhe do të bëhemi më të shëndosh. Vetëdija mbi Zotin na mbron nga shkatërrimi, që shumë njerëz nuk mbeten pa mos iu nënshtruar, duke e humbur jetën e tyre, pa përgatitur asgjë për këtë botë ose për shpirtrat e tyre.
Periudha më e mirë dhe më e ndritur në jetën e njeriut është koha e kaluar me Krijuesin. Nuk mjafton vetëm të folurit për Të, falënderimi dhe adhurimi i Tij, por që në jetën e përditshme duhet që Atij t’i nënshtrohemi me plotë vetëdije, duke iu ndihmuar edhe të tjerëve dhe bërë vepra të mira.
Me të vërtetë, Allahu Madhërishëm këtë e ka bërë lehtësim për ne:
“Dhe për ju nënshtroi gjithë ç’ka në qie dhe ç’ka në tokë, njëmend për njerëzit që mendojnë thellë, në to ekzistojnë argumente.” (El-Xhathije, 13)
Zoti ynë është pranë nesh. Çdo rrahje e zemrës sonë, çdo lëvizje e trupit tonë dhe çdo pjesë e ditës dhe natës gjendet në Duart e Tij. As edhe një shqetësim i pavërejtur, Atij nuk mund t’i shpëtojë!
Allahu i Madhërishëm iu drejtua Musait, a.s.:
“Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç’do t’ju thotë) dhe shoh (ç’do të bëjë me ju)”. (Ta Ha, 46)
Turp është që ta harrojmë mëshirën e Atij që e duam dhe me të cilin, sërish, do të takohemi. Vërtetë është e turpshme që të dikujt t’ia harrojmë të mirën, i cili u gjend pranë nesh në rast vështirësie dhe mërzie, kur na ndihmoi, gjersa ishim të pafuqishëm dhe nevojtarë.
Allahu, nga e gjithë kjo, është më i Lartësuari. Ai është më afër sesa damari i qafës. E papranueshme është që për dikë i cili beson në Allahun, që ta harrojë Atë, qoftë edhe për një çast!