Për njeriun me qëllim e mision të mbështetur në udhëzim të drejtë, nuk ka kohë të lirë.
A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e All-llahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur'an), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës." - Kur'an, 57:16
Koha është dhunti. Koha rrotullohet siç rrotullohen erërat në hapësirë. Është e pandalshme në rrotullimet e saj. Sikur erërat që sjellin të reshura, mund të jenë të begattë, e ndonjëherë të dëmshme; e ndonjëherë fikin zjarre, e ndonjëherë i fryjnë flakës. Po, koha është dhunti, por njeriu është i lirë të zgjedh nëse të fryj me erën që sjellin të reshura të begattë, apo që t'i fryj erërave që i sjellin të reshura të dëmshme. Zoti askujt nuk i bën padrejtësi, Ai, ka drejtësi absolute. Njeriun e la të lirë të zgjedh, e nëse zgjedh të dëmshmen, vetëm atë që Allahu e mëshiron, mund ta përmirësoj rrugën.
Për njeriun me qëllim e mision të mbështetur në udhëzim të drejtë, nuk ka kohë të lirë. Madje, shprehja "kohë e lirë" edhe nuk duhet të qëndroj në fjalorin e tij të përditshëm. Gjithnjë ka diçka për të bërë. Qoftë edhe me vetëm përkujtim të zemrës ndaj Zotit të saj. Po edhe kur bie në gjumë, nuk është humbje kohe, por shfrytëzim racional i kohës, pasi, pushimi i tij konsiderohet akumulim i energjie për të vepruar pas zgjimit normalisht.
Koha që kalon, nuk kthehet më. Por nëse shfrytëzohet ajo që kalohet, gjithmonë do të mbetet në kujtesë, dhe njeriu do të shërbehet me të në të ardhmen. E nëse nuk shfrytëzohet, jo vetëm që nuk do të ketë me çka të shërbehet me të kaluarën e tij, por edhe gjithnjë do ta mundoj vetveten e tij me pse-të e mos-shfrytëzimit të asaj të kaluare. Po, koha që kaloi, të preu sikur shpata; të ndau prej së kaluarës.
Koha për të qenë në shërbim tëndin, duhet të thyhet. Diçka që është e drejtë dhe e shtrirë, nuk shihet gjë sikur në shkretëtirë; pa cak e pa gjurmë, apo në një rrugë të drejtë, të gjerë e të shtrirë, ku syri nuk thyhet në asnjë objekt. Thyerje që shqisat e njeriut pushojnë për pak kohë, marrin atë që duhet, e pastaj tërhiqen për të pushuar në ndonjë thyerje tjetër. Këto thyerjesh janë objektet, që shqisat e njeriut me to furnizohen.
Kujtesa njerëzore është në varësi të asaj që sheh, dëgjon, shijon, nuhat, a ndjen e mendon. Kur njeriut nuk i funksionon veprimtaria shqisore në kohë a vend të caktuar, gjithçka mbetet thjesht imagjinatë, e pakuptimtë, por edhe e pafrytë. Nëse njeriu ka kryer një veprim në të kaluarën e tij, por në atë ardhmen, sot, nuk i kujtohet, mund të shpjegohet se ai veprim nuk ka buruar prej thellësisë së tij, e as nuk ka pas inkuadrim të plotë të shqisave të tij. Prandaj, që njeriu të shërbehet sot me të kaluarën e tij, duhet që sot të bëj diçka njëmendtë, sinqerisht, dhe racionalisht, që nesër me veprimin e sotshëm të shërbehet.
Koha është shenjë me të cilën lë gjurmë në ditët dhe netët e atij që jeton brenda saj; sikur njeriu kur del në një vend të panjohur dhe le një gjurmë a shenjë, për t'u orientuar. Pra, koha orienton njeriun. Por, gjithçka është në varësi të mënyrës së shfrytëzimit të kohës, gjurmës dhe formës së saj.
Nëse njeriu nuk ka të kaluar të pasur, apo regjistrat e shqisave janë të varfra, ky njeri sigurisht ka nevojë për t'u udhëzuar me diçka, që me të, të vazhdoj rrugën. Pastaj, varet se në ç'mënyrë udhëzohet; me udhëzim të njerëzve me të kaluar të pasur dhe të ndritshme, apo me udhëzim të njerëzve si vetë vetvetja e tij e hutuar.
Njeriu musliman këtë më shumë e ka të zgjidhur. Nuk ka pse të shqetësohet. Kur'ani dhe trashëgimia e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ve selem i mjafton. Po edhe bagazhi i atyre njerëzve, të cilët janë udhëzuar drejtë me Kur'an dhe Sunnet. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se gjithçka është zgjidhur, përderisa nuk e shfrytëzon kohën në frymën e Kur'anit dhe Sunnetit, dhe nën hijen e të kaluarës së njerëzve që dëshmuan diturinë dhe devotshmërinë.
Shfrytëzimi i kohës në frymën e udhëzimit të drejtë: të lexuarit Kur'an; të lexuarit e thënieve të Muhammedit s.a.v.s. dhe për jetën e tij të ndritshme; të lexuarit për njerëzit e udhëzuar me Kur'an dhe Sunnet; es'habët e Muhammedit a.s., dhe të njerëzve që dëshmuan diturinë dhe devotshmërinë; të dëgjuarit të ligjëratave islame; të ndenjurit me njerëz të ditur dhe të devotshëm dhe; kryerja e përgjegjësive ditore; si përkujdesja ndaj vetvetes, prindërve, familjes, shoqërisë dhe punës.
Me këtë njeriu i udhëzuar drejtë me Kur'an dhe Sunnet, pra muslimani, kohën e vet e ka shfrytëzuar mirë e drejtë, dhe ka me çka të krenohet, por ka edhe çka të tregoj në Ditën e Gjykimit, në dashtë Allahu!
Kurrë nuk është vonë, mjafton për fillim të mendosh për vlerën dhe rëndësinë e kohës. Në dashtë Allahu, të udhëzon dhe vepron siç duhet. Jo ditë të papërcaktuar, fillo sot, që tani cakto e organizo kohën tënde!
"E për cilën ditë atyre u është caktuar koha?" - Kur'an, 77:12
Allahu xh.sh. na udhëzoftë në shfrytëzimin e kohës siç do Ai, subhanehu ve teala.
Ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem
Our Lord! Grant unto us wives and offspring who will be the comfort of our eyes, and give us (the grace) to lead the righteous