Benachrichtigungen
Alles löschen

Bravo shqiptari

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
148 Ansichten
(@bruna)
Beiträge: 1552
Noble Member
Themenstarter
 
[#1034]

BRAVO SHIPTARI!
... Por, përgjigjja e vrasësit ishte: "Jo! Unë agjëroj!"!?!

Shkruan: Ismail Bardhi

(Shkas: vrasja e nipit nga dora e xhaxhait në Bitpazar!)

"A mendon njeriu se nuk do të përgjigjet?"
(Kur'an, 75: 36)

Para më shumë vitesh në muajin e agjërimit, diku afër apo mu në Bitpazarin "tonë" ndodhi një vrasje. Pas kryerjes së krimit një polic i afrohet vrasësit duke i ofruar një cigare që ta qetësonte. Por, përgjigjja e vrasësit ishte: "Jo! Unë agjëroj!"!?! Urdhëroni e mos u habitni me këtë gjë që nuk ka mundësi të shpjegohet. E ç'të themi që gati për çdo ditë në vendbanimet "tona" po na ndodhin vrasje për këtë apo atë arsye. Vërtet rrënqethëse! Profetit Muhammed a.s. lidhur me vrasjen ka thënë "edhe vrasësi edhe i vrari janë në zjarr!", ndërsa domethënia e kësaj është se Islami rreptësisht ndalon vrasjen, atë e konsideron prej mëkateve më të mëdha dhe besimtarët i thërret t'i bëjnë rezistencë çdokujt që mburret duke treguar histori të ndryshme plot pallavra "odash" dhe "çajtoresh", që janë shndërruar në mite trishtuese. Faktikisht vrasësit e tillë nuk kanë mundësi diku tjetër të mësohen për vrasje të tilla pos nga odat tona dhe, për fat të keq, nga historia jonë. Mirëpo në këto raste si shprehet mentaliteti ynë banal i burrërisë: fillojnë vizitat në të dyja familjet dhe edhe kur shkojnë tek vrasësi edhe tek i vrari shprehin "ngushëllimet" të cilat vijohen me fjalë nxitëse për hakmarrje. Çfarë dyfytyrësie! E mos dhashtë Zoti që aty të ndodhë ndonjë "hoxhë", ndonjë "intelektual" apo ndonjë "pajtues" gjakrash e të fillojnë bisedat e pafundme "burrërore".

Qysh në fillim të krizës së vitit 2001 dikush më pat thënë se ekziston mundësia që pas përfundimit të saj qytetet ku popullata shqiptare është në numër të madh të shndërrohen në vende terrori dhe krimi të organizuar. Dhe ja që qëkur kriza kushtimisht përfundoi për çdo ditë lexojmë dhe dëgjojmë: një vrasje këtu, një plagosje atje, një grabitje këtu, një plaçkitje atje, një burgosje edhe këtu edhe atje... E të gjitha viktimat janë shqiptarë. Vetë biseda rreth vrasjes, krimit të organizuar dhe "burrërisë" së dorasit/kriminelit, me të cilat "mburret" njeriu ynë, në vete është shqetësuese. E kur ndodh ndonjë akt i vrasjes/vetëvrasjes/krimit, të gjithë me keqardhje e komentojnë dhe përpiqen t'ua hedhin fajin "të tjerëve". A thua fenomeni i vrasjes në mesin tonë është vazhdimësi e një mentaliteti të mëparshëm, mendoj të para krizës, apo është diçka që rezultoi nga ajo krizë, aq më tepër kur vazhdimisht pretendojmë të prezentohemi si njerëz me histori dhe qytetërim të lashtë, mbase më të lashtin në Ballkan. Atëherë ku qëndron problemi? Mos vallë na mungon kultura e përgjithshme, kultura e fesë dhe mungesa e qytetërimit? Me çfarë të drejte ne mëtojmë për një ardhmëri më të mirë? Vrasja është vrasje dhe ajo për çdokënd është e njëjtë, por meqë i takojmë fesë islame duhet cekur ajo që u tha më lart, gjegjësisht se vrasja edhe fetarisht është çështja më e urrejtur dhe rreptësisht e ndaluar, dhe dorasin e akuzon si katil dhe mëkatar të përhershëm. Nëse nuk na pëlqen që nga ky aspekt ta vëzhgojmë këtë dukuri, atëherë le ta shikojmë nga ndonjë këndvështrimi tjetër "kulturor", "etnik", "patriotik"... Me siguri se dikush do të thotë se në mbarë botën, pra edhe në atë perëndimore, ndodhin vrasje. Po, është e vërtetë, por mbase askund në botë vrasësit nuk kalojnë aq lehtë si tek ne. Nuk kalon shumë kohë nga shqiptimi i dënimit për ta e t'i shohim se si shëtisin rrugëve.

Diku në fillim të krizës së "luftës" tek ne shpreha frikën në vetvete nga mundësia që të vijmë në një situatë që ajo të rezultojë me një krizë në kohë të paqes. Në portat, kiosqet, madje edhe në spitalet dhe fakultetet do të gjenden njerëz të helmuar nga urrejtja. Euforia, e dirigjuar nga instancat më të larta politike se të gjithë "kriminelët" do të ndëshkohen, u hesht dhe u eliminua nga i njëjti vend nga i cili edhe rrodhi. Askush nuk kujdeset për traumat që do të lulëzojnë nga kjo në shpirtin tonë. E përse ta bënte këtë? Sepse shëndeti ynë, qoftë edhe ai mental, ose pikërisht ai, për botën kryesisht ishte një shtytje provokuese për disa eksperimente të tyre të reja. Vendi ynë, me tërë vuajtjen dhe mjerimin e vet u shndërrua në laborator në të cilin minjtë eksperimentues ishin krejtësisht të pambrojtur dhe atë dyfish: si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

Si duket asgjë më tek ne nuk është dhe nuk mund të jetë si më parë. Madje as "luftëtarët" e të dyja taborreve të transformuar në qytetarë "të sjellshëm" nuk mund të bëhen të tillë në plotkuptimin e fjalës. As edhe viktimat e mbijetuara. Apo pikërisht ata, respektivisht ne. Ajo që ndodhi këtu, çdo gjë që u bë në përpjekje të shkatërrimit tonë, la gjurmë mbi ne dhe në ne. Për ne, për të cilët ajo që ndodhi paraqiste habi, tanimë pothuajse nuk ekziston, përkundër ndryshimeve edhe në fytyrat tona, edhe në shpirtat tanë. Habi nuk paraqet as ajo që do të duhej të na habiste. E ky është sugjestioni dhe nevoja që përvojat dhe njohjet tona të konfliktit t'i mbrapsim, thuajse t'i harrojmë.

Mirëpo me ardhjen e "paqes" gjërat tek ne ndryshojnë në mënyrë marramendëse. Njohja se paqja me vete sjell edhe përmbajtje të cilat gjatë krizës ishin të neglizhuara, shumicës u dha nxitje të mendojnë se mund të vazhdojnë aty ku ishin ndalur para saj. Përjetimet e pazgjidhura, traumatike, siç na mëson psikiatria, janë të përshtatshme për zhvillimin e sëmundjeve psiqike, të neurozave dhe psikozave (lexo: vrasjeve!). Dhe kështu, sërish vijmë deri te sëmundja, por në këtë rast jo deri te sëmundja e kujtesës së tepërt, por sëmundja e neglizhencës së saj. Cila sëmundje është më e keqe? Cila është më shkatërrimtare për ne? Vështirë mund të jepen vlerësimet tash, ad hoc dhe në këtë çast, mirëpo në çdo rast rreziku edhe nga njëra edhe nga tjetra na qëndron mbi kokë. Si t'u shmangemi atyre është një pyetje e cila në mënyrë të pazgjidhshme qëndron pezull mbi të drejtat tona të "sapofituar", në një shtet që vetveten e ka tjetërsuar.

Është e qartë se bota nuk ka ndërmend të merret me ne, të paktën në mënyrë thelbësore, sidomos me plagët tona të llojllojshme. Ne vetë duhet të kujdesemi për vetveten. Si? Përgjigje të drejtë dhe përfundimtare nuk ka, por ekzistojnë disa variante të cilat në këtë çast mund të na ofrojnë lehtësim afatshkurtër (apo afatgjatë?). Njëri nga ato është puna, ajo punë e cila sjell kënaqësi dhe fitim; ajo e cila akoma mungon tek ne dhe atë për më shumë arsye. E para është ajo, do të thonin shumica, se akoma nuk janë arritur kushtet për fillimin dhe zhvillimin e punëve vërtet të rëndësishme. Ndërsa tjetra, në këtë çast më e dukshme dhe më e rrezikshme për ne, është situata në të cilën ato punë që duhet t'i kryejnë njerëzit e kualifikuar dhe të aftë i kryejnë ata të tjerët. Ndërsa ata të tjerët kanë ardhur këtu pranë nesh në klasën e "profiterëve shpirtërorë, intelektualë". Për zhvillimin e tyre pjesërisht kemi faj edhe ne, ne të munduar nga vuajtjet, nënçmimet dhe humbjet tona. Me këtë faji ynë është më i vogël ndërsa kundërvajtja e tyre më e madhe. Në vendin e përvuajtur dhe të plagosur tani udhëheqin disa njerëz "të zbrazët". Deri kur? Deri kur mediokriteti, qoftë të jetë i krijuar edhe në kohëra të varfërisë, të mungesës së çfarëdollojshme (madje edhe të njerëzve cilësorë), do të jetë kismeti ynë? Ndërsa këtë kismet e kishim edhe para krizës. Asokohe për shkak të arsyeve krejtësisht të tjera, por që në rezultat e kishim të njëjtën: favorizimin dhe mbisundimin e mediokritetit dhe mbrapsjen e cilësisë.

Është dëshmuar se mediokriteti është forma universalisht më vitale e mbijetesës njerëzore. Mirëpo mediokriteti po ashtu është edhe gjenerator i ngecjes dhe shpërfytyrimit të çdo shoqërie në të cilën mbisundon. Për ne edhe një humbje "e identitetit" do të ishte shkatërrimtare. Kush është i gatshëm të luajë bixhoz me rolin e tillë? Zërat që flasin për këtë thonë: politika. Në përgjithësi politika, e në këtë rast ajo e qëndisur në fatin tonë. Mirëpo, zërat tek ne momentalisht janë të përzier. Në kakofoninë e tyre zbehen të gjitha ato të cilat në vete mbajnë shenjat e paralajmërimit. Ato tek e fundit gjithmonë janë dëgjuar pa dëshirë: janë shpallur si kobzeza, malicioze e madje edhe të rrezikshme. Për heshtjen e tyre dikur, po mbase edhe sot, është përdorur edhe forca.

"Mendja" dhe "kultura" jonë duhet në mënyrë të thuktë dhe me përgjegjësi intelektuale t'i prezentojnë dhe shqyrtojnë problemet që janë duke ndodhur, si të a.q. "patriotizëm", "trimëri", "burrëri" dhe atyre t'u përgjigjen në mënyrë efikase. Intelektualët e çfarëdo profili qofshin, e sidomos ata fetarë, duhet që fuqimisht ta dënojnë këtë paradoks (jo)kulturor, (jo)fetar dhe (jo)qytetërues, duke iu shmangur më glorifikimeve të panevojshme lodhëse në emër të kombit apo fesë, të cilëve fatkeqësisht nuk po i lëmë aspak njerëzi. Sa mirë do të ishte të jemi vetëm njerëz... por NJERËZ që e dijnë se do të përgjigjen!

Kur këtyre ditëve m'u botua teksti "Institucioni fetar pa teologji dhe teologë", një vërejtje që mora lidhur me të ishte se është dashur të shkruaj për diçka konkrete. Si duket kritikuesi paska pasur të drejtë, sepse qënka dashur të thuhet "fetari pa fe", ose "njeriu pa njerëzillëk", d.t.th. "njeriu shejtan dhe kaluar shejtanit". Në vazhdimësi të kësaj në një bisedë publike thashë se lideri fetar nuk ka të drejtë të ecë me armë në dorë, e as ata rreth tij.

Mos paskam gabuar...?!?

Shkup, 15.11.2008


“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.â€

 
Veröffentlicht : 18/11/2008 5:07 p.m.
Teilen: