Sherri për fotot në Facebook, plagoset rëndë 18-vjeçari
Një sherr në një pikë interneti për pak sa nuk i ka marrë jetën një të riu. Ngjarja shokuese ka ndodhur në Ballsh kur dy të rinjtë ishin duke frekuentuar rrjetin social Facebook në një qendër interneti në qytet. Sipas burimeve zyrtare të policisë, pas sherrit, fillimisht me fjalë dhe grushta, 19-vjeçari Shefit Salaj e ka goditur pesë herë me thikë 18-vjeçarin me iniciale E.A. Burimet citojnë se ngjarja ndodhi pas një debati për motive banale. Burimet nga vendi i ngjarjes, kryesisht miq të dy të rinjve, pohojnë se shkak për këtë debat kanë qenë disa fotografi të vendosura në profilin e 18-vjeçarit E.A, në të cilat kishin dalë një grup shokësh, përfshi këtu edhe autorin e plagosjes dhe të plagosurin.
“Në fillim Shefiti i tha hiqi ato foto se kam dalë keq, por ai i tha se është profili i tij dhe se mund të çoj çfarëdo fotosh të dëshirojë. Kështu nisi sherri, pastaj u shanë e fyen me njëri-tjetrin aq sa nxorën thikat”,- kanë deklaruar për efektivët blu shokët e të përfshirëve në këtë sherr.
Policia ka mbërritur sapo ka marrë njoftimin prej shokëve të të plagosurit, ndërsa autori ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Menjëherë është shoqëruar për në spitalin e Fierit i plagosuri i cili ka marrë plagë në pjesën e shpinës dhe të barkut, ndërsa pak më vonë bluzat e bardha e kanë nisur për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet.
“Një 18-vjeçar është plagosur me mjete të mprehta nga një bashkëmoshatar i tij. Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme (dje) në një pikë interneti në qytetin e Ballshit. 18-vjeçari me iniciale E.A. është goditur disa herë me mjete të mprehta nga 19-vjeçari Shefit Salaj, një ngjarje kjo e ndodhur pas një sherri për motive banale”,- ka deklaruar në njoftimin për shtyp policia.
Kjo e fundit është vënë në ndjekje të autorit dhe vetëm pas 2 orësh ka arritur ta arrestojë atë në tentativë për t’u larguar nga qyteti i Ballshit. Tashmë mbi 19-vjeçarin Salaj rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje si dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. 18-vjeçari i plagosur që është transportuar në Spitalin Ushtarak konfirmohet se është jashtë rrezikut për jetën.