Benachrichtigungen
Alles löschen

Në kurth: Vejushat e luftrave ballkanike

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
605 Ansichten
(@anonymous_1788263120)
Beiträge: 13309
Illustrious Member Guest
Themenstarter
 
[#5566]

Në kurth: Vejushat e luftrave ballkanike

Vejushat e luftrave në gjithë Europën mund të kenë pasë një fat të përbashkët, por përvojat e mëvonshme të jetës, nga Kosova konservative në Anglinë liberale, janë krejtësisht të ndryshme.
Nga Majlinda Aliu në Krushë të Madhe

Arbeta Kryeziu është rritur. Tani që po bëhet 13 vjeç, fytyra po i merr tiparet e së ëmës. Duke shikuar foton e Arbetës fëmijë, e ëma, Flora Rexhepi, mallëngjehet.

Flora mbeti e ve në moshën 24 vjeçare, kur forcat serbe i vranë të shoqin, Ramadan Kryeziun, në fshatin Sllovi në prill 1999, gjatë luftës në Kosovë.

Të qenurit vejushë lufte nuk ishte katastrofa e vetme e Florës. Mbasi humbi të shoqin, asaj iu desh të hiqte dorë nga fëmiu i saj i vetëm që atë kohë ishte vetëm 18 mujashe, duke e lënë Arbetën nën kujdesin e motrës së të shoqit të saj të ndjerë.

Flora ishte viktimë e zakoneve të rrepta të shoqërisë kosovare, veçanërisht ndaj vejushave të luftës.

Ndryshe nga motrat e tyre në Europën Perëndimore, vejushat në Kosovë nuk duhet ta “vazhdojnë jetën”normalisht por duhet të mbajnë zi gjithë jetën për bashkëshortët e tyre të vdekur. Rimartesa e tyre është e pa pranueshme, për më keq fëmijët i përkasin familjes së bashkëshortit, jo asaj të vejushës.

Florën e çuan në shtëpinë e prindëve të saj në Gjilan. Vendimi për ta kthyer atë atje dhe për ta mbajtë fëminë e saj në Sllovi, u mor bashkarisht nga burrat e familjes së Florës dhe të burrit. Ndërsa ajo nuk u pyet kurr për vendimin e marr. Madje iu kërkua që më tutje, Flora të shtirej para Arbetës si të ishte tezja e saj, jo e ëma.

Flora skuqet kur kujton momentin kur iu desh të dorëzonte vogëlushen e saj. “Kur lashë bijën time, ishte shumë e vështirë. Isha pothuajse pa vetëdije.” Prej atëherë, Flora ka vuajtur nga sulmet epileptike.

Më pas, ajo nuk u pa me të bijën për gjashtë muaj, dhe kur e takoi, pësoi tronditje: “Ajo nuk më njohu, as nuk e dinte që isha e ëma. Ishte shumë e vështirë të ruhej sekreti para fëmijës tim, t'i thoja se jam tezja dhe jo e ëma e vërtetë.”

Axha i Arbetës dhe gruaja e tij e rritën atë si duhet dhe Arbeta nuk dyshoi kurrë për asnjë gjë. Por kur mbushi tetë vjeç, familja e të jatit i tregoi asaj të vërtetën.

“Kur i thanë se isha e ëma, ajo s'mundi ta besonte,” perkujton Flora. “Për javë me radhë Arbeta zgjohej natën duke menduar se ajo që po përjetonte ishte vetëm ankth.”

Që kur mësoi këto fakte, Arbeta u bë më e ftohtë kundrejt Florës, biles e quajti gënjeshtare. Ajo nuk mund t'ia fal Florës pse kishte braktisur. Flora rikujton fjalët e saj vrastare: “Ti s'ish dashtë me më lanë. Po të më kishe dashtë nuk do ta kishe ba”.

Flora thotë se i ka shkuar në mend ta merrte Arbetën të jetonte me të. Por nuk e bëri kurrë këtë sepse nuk donte “ta lëndonte vjehrrin”, që kishte humbur në luftë të birin dhe të shoqen dhe Arbetën e shihte si kujtimin e gjallë të djalit të vdekur.

Flora kishte frikë që nëse do të përpiqej ta rimerrte vajzën e saj, vjehrri i saj do të zemërohej dhe nuk do ta lejonte më ta takonte atë.
Më 2006, Flora u rimartua me një burrë më se 20 vjet më të vjetër se veten, gruaja e të cilit kishte vdekur pas luftës. Ajo zgjodhi një burrë shumë më të vjetër sepse mendonte se do të ishte më mirëkuptues dhe do ta lejonte të mbante kontakt me të bijën.

Tani, edhe pse nuk jetojnë bashkë, Flora e takon vajzën e saj adoleshente rregullisht. “Arbeta është xheloze që unë jam martuar,” thotë ajo. “Nganjëherë më thotë që s'duhej të isha martuar; duhej thjesht të kisha mbetë shoqe e burrit tim aktual.” Flora ndjehet e lumtur që të paktën fëmija i saj ende interesohet për të.

Mentaliteti “ndryshon ngadalë”

Sibel Halimi, sociologe në Institutin e Studimeve Gjinore të Prishtinës, thotë se rrethanat historike dhe politike të Kosovës kanë përcaktuar kodet e saj të ashpra kundrejt vejushave si Flora. “Mungesa e lirisë i ka penguar njerëzit të vlerësojnë rëndësinë e lirisë në çdo sferë,” shpjegon ajo.

Burri i dytë i Florës është nga Krusha e Madhe, një fshat ku forcat paraushtarake serbe kryen një masakër të përbindshme në mars 1999. Aty u vranë rreth 240 njerëz, duke lënë mbrapa 140 vejusha dhe 502 jetimë.

Pak nga ato gra janë rimartuar. Pjesa tjetër, si Fahrije Hoti, ia kanë kushtuar jetën fëmijëve.

Fahrija ka mbetë vejushë por nuk është mbyllë në shtëpi. Si drejtuese e një shoqates, “Gratë e Veja të Krushës”, një biznes që nxjerr fitime, ajo është përpjekur t'i bindë fshatarët e saj konservativë për ta pranuar faktin që ajo më mirë do të punojë sesa të jetë ekonomikisht e varur nga të afërmit e saj meshkuj.

“Mentaliteti në vendin tonë ndryshon ngadalë,” thotë ajo. “Në fillim, ishte e vështirë t'i bëje njerëzit të kuptojnë se një grua mund të bëjë biznes, të vozisë veturën dhe në të njëjtën kohë të kujdeset për familjen.

“Por më vonë shumë gra iu bashkuan biznesit tim, që tregton ushqim tradicional organik,” shton Fahrija duke ndezur një cigare. Roli i kreut të familjes ia ka ndryshuar asaj edhe pamjen. Tani ka një pamje më mashkullore.

Kryetari i fshatit, Kadri Dellova, nuk vë pengesa në rrugën e saj. Si sociolog, ai beson se Kosova rurale ka ngel mes të resë dhe të vjetrës. “Kosova i është drejtuar një mënyre jetese “moderne”, por është e vështirë të thyhen zakonet e vjetra në familjet tradicionale,” shprehet ai.

Rregulla të ndryshme për burrat!

Kur bëhet fjalë për martesën e vejanëve, gjithsesi, rregullat në Kosovë janë krejtësisht ndryshe. Shoqëria i trajton këta burra si viktima që kërkojnë një partnere të re menjëherë.

Selmon Zeqiri, 42 vjeç nga Celina, fshat veç një kilometër nga Krusha e Madhe, humbi gjatë konfliktit 16 antarë të familjes së afërt, përfshirë të shoqen dhe dy djem.
Vetëm djali më i vogël, Valoni, i mbijetoi masakrës së paramilitarëve serb në vitin 1999. Pas luftës ai u kthye nga Gjermania, ku punonte, për t'i varrosur të anëtarët e familjes.

Hapi i dytë që bëri, ishte gjetja e dikujt për t'u martuar. E të afërmit iu bashkuan kërkimit të tij. “Në fillim nuk isha shumë i interesuar në rimartesë por mandej e kuptova se më duhej dikush për të gatuar e pastruar dhe për të krijuar një familje të re,” shprehet Selmoni.

Sot, ai jeton në shtëpinë modeste të rindërtuar me gruan e dytë, Lavdërijen, dhe me tri vajza e dy djemtë e tij. E divorcuar, Lavdërija nuk kishte qenë gati të martohej prapë.

“Por im atë më kërkoi të martohesha me Selmonin,” thotë ajo.

Lavdërija thotë se qysh prej fëminisë ishte ndjerë e diskriminuar për shkak të gjinisë. Prindët e ndalën nga shkolla herët, duke thënë se vëllezërit kishin përparësi. Me vështrim tek fëmijët e saj, ajo dëshiron që ata t'i bëjnë gjërat ndryshe.

“Po bëj përpjekje të mëdha t'i edukoj vajzat, që e ardhmja e tyre të jetë më e mirë,” thotë ajo. Selmoni është tejet më konservativ. Ai thotë se nuk do të ishte martuar kurrë me Lavdërijen, po të kishte sjellë fëmijë të vetët nga martesa e saj e parë.
Ai mendon se vejushat me fëmijë nuk duhet të martohen. Sipas tij, ato duhet ta sakrifikojnë veten për fëmijët e vet.

Zakonet e vjetra që përciellin vejushat dhe vejanët në Kosovë tregojnë ushtrim të standardeve të dyfishta në raport gjinor.

Në teori, gratë në Kosovë gëzojnë barazi para ligjit. Në praktikë, ato vazhdimisht diskriminohen, veçanërisht kur bëhet fjalë në çështje të tilla si trashëgimia, shpjegon avokatja Drita Hajdari.

Në Kosovë më shumë përparësi i ipet Kanunit të Lekë Dukagjinit, sesa ligjit, shprehet Hajdari. Sipas Kanunit, vajzat nuk kanë të drejtë të trashëgojnë pjesë nga pasuria e familjes.

Edhe në Bosnjë pak më ndryshe

Kosova nuk është vendi i vetëm i Ballkanit që po shërohet nga plagët e luftës. Afro 100.000 njerëz vdiqën nga konflikti në Bosnjë e Hercegovinë prej vitit 1992 në 1995 sipas Qendrës për Kërkime e Dokumentacion në Sarajevë. Mijëra gra boshnjake kanë mbetë vejusha. Gjithsesi, edhe pse qëndrimet ndaj vejushave të luftës janë konservativë në Bosnjë, atje janë më pak të ashpër sesa në Kosovë.

Vukosava Klanco, një boshnjake serbe në mes të të katërdhjetave, mbeti e ve 15 vjetë më parë. Paraushtarakët serbë ia vranë të shoqin, Mujon, mysliman boshnjak, në Vllasenicë të Bosnjës lindore më 1992. Vukosava dhe Mujoja u takuan në shkollë, ranë në dashuri dhe u martuan kur ajo ishte vetëm 16 vjeç. Bënë dy fëmijë.

Mbetja e ve dhe nënë e vetme ishte e vështirë. “Kur humbet partnerin në mënyrë të tillë, të duhet të kalosh përmes një procesi të gjatë e të ndërlikuar,” shpjegon Klanco.
Ajo shkoi me fëmijët të jetonte në Suedi dhe tashti e kalon kohën mes Stokholmit dhe Tuzlës në Bosnjën verilindore. “Isha e shqetësuar si t'i rrisja fëmijët,” kujton ajo. “Ua kushtova jetën.”

Gjithë këta vjet ajo nuk është martuar. Por ka punuar fort me dy djemtë e saj, duke u përpjekur t'i bëjë të kuptojnë që ndonëse dashuria e saj për të jatin e tyre do të zgjasë përgjithmonë, ka ardhë koha që ajo të ecë përpara.

“Kam folë shumë me bijtë e mi dhe tashti ata do ta pranojnë absolutisht nëse do të martohem,” thotë ajo. “Nuk doja që një ditë thjesht t'u dilja para e t'u thoja “Ky është njerku juaj”.

Megjithëse ndonëse e gatshme për një marrdhënie të re, ajo përballet me vështirësi të ndryshme nga ato të vejushave të luftës në Kosovë, si për shembull kuptimi i pavarësisë së saj.

“Nuk kam nevojë për një partner që të më financojë, të më blejë gjëra e të më shëtisë me makinë,” thotë ajo. “Jam grua në punë. Ajo që dua është të kaloj jetën me një shok, por nuk është kaq e thjeshtë.”

Shoqja e saj, Hanife Kiqiç, vejushë myslimane boshnjake e luftës, burri dhe djali i së cilës u vranë poashtu në Vllasanicë më 1992, mendon ndryshe.

Duke jetuar në Tuzla për t'ia përkushtuar jetën djalit të vogël, ajo stresohet kur e pyet nëse ka menduar ndonjëherë për rimartesë. “Jo, askush nuk mund t'ia zërë vendin atij,” thotë ajo për bashkëshortin e saj të ndjerë.

Por mosmiratimi i Kiqiçit për rimartesën e vejushave pjesërisht mbështetet në faktorë financiarë, si dhe mbi ndjenjën që rimartesa nuk është e drejtë.

“Ato që janë rimartuar kanë ndeshur probleme financiare sepse kanë humbur të drejtën e pensionit si vejusha të luftës,” thotë ajo. “Prandaj shumica nuk janë rimartuar.”

Një pension vejushe lufte në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) është rreth 160 euro në muaj, që është më shumë se pensioni mesatar. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), pensioni mesatar në BeH më 2009 ishte 126 euro në muaj. Pensionet e vejushave të luftës në Kosovë janë në nivel të krahasueshëm, 130 euro në muaj, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Për më shumë, kjo është më se katër herë pensioni mesatar prej rreth 40 eurosh në muaj.

Në Angli, më lirë!

Ballkani nuk është rajoni i vetëm në Europë ku gratë kanë humbë burrat në luftë.

Tridhjetenjëvjeçarja Ebi Kornish nga Kenti i Anglisë juglindore dhe dy fëmijët e saj ishin një nga shumë familjet e mbetura pa burrë e babë si pasojë e angazhimit ushtarak të Britanisë në Irak dhe Afganistan. Këto konflikte kanë marrë jetën e më se 500 ushtarëve britanikë prej vitit 2001.

Burri i Ebit, Methju, u vra në Irak më 1 gusht 2006 duke shërbyer në Ushtrinë Britanike. Ai ishte në një bazë kur u gjuajt me mortajë dhe një shrapnel e goditi në kokë.

“Thjesht s'mund ta besoja, u ndjeva keq dhe e lëndur sa s'ka më keq,” rikujton Ebi. “E doja të rikthehej në jetë, nuk mendoja se do t'ia dilja pa të.”

Trupi i Methjusë erdhi në shtëpi me aeroplan dhe ai u varros më 17 gusht, një ditë para përvjetorit të pestë të martesës së çiftit. “Ishte e vështirë t'i shihje fëmijët të rriteshin pa babain, të cilin e donin aq shum,” thotë Ebi.

Por ajo ia doli me ndihmën e familjes dhe Xhimit, njërit nga shokët e ushtrisë të burrit të saj të ndjerë. Duke u kujdesur për Ebin dhe fëmijët e saj, ata u bënë të afërt.

“Nuk e di me të vërtetë se si ndodhi,” shprehet ajo. “Kishim qenë miq për shumë kohë dhe ai më ndihmoi shumë kur vdiq Methju. Një ditë vendosëm se ndjenim për njëri-tjetrin më shumë sesa thjesht miqësi.”

Kur ai u shpërngul në shtëpinë e familjes së re, fëmijët e saj ishin të gëzuar sepse ishin mësuar me të. Ebi vazhdon të ketë lidhje të ngushta me familjen e Methjusë madje ata e motivuan që të shihte jetën përpara. Tani ajo po planifikon të martohet me Xhimin në maj 2011.

“Familja dhe miqtë, përfshi disa nga familja e Methjusë, do të vinë në dasmën tonë.” thotë Ebi. Xhimi është pajtuar që ajo të mbajë mbiemrin e burrit të parë. “Edhe kur të martohem, do të jem prapë e martuar me Methjunë. Do të kem një bashkëshort këtu dhe një bashkëshort në qiell,” vazhdon ajo.

“Nuk do ta harroj kurrë tim shoq, ai është babai i fëmive të mi dhe do të jetë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës tonë. Do ta dua gjithmonë e do të më marrë malli nga zemra për të.”

Ndryshimi po vjen?

Në Kosovë ka thirrje për ndryshim qëndrimesh kundrejt vejushave dhe në veçanti karshi të vejave të luftës. Nevojitet një fushatë permanente për të ndryshuar mentalitetet e vjetra, thotë avokatja Drita Hajdari. Vejushë në të katërdhjetat, ajo tani është ekonomikisht e pavarur, mendje hapur dhe absolutisht nuk vishet me të zeza.

Ndërkohë që populli i Kosovës së pavarur kërkon modele të reja jetese, ata duhet të mbështeten në shembujt më të mirë nga rajoni dhe tek pjesa tjetër e Europës, thotë sociologia Sibel Halimi.

“Kemi të drejtën të jemi të lumtur dhe të mos gjykohemi nga “policia morale”,” është mesazhi i Vukosava Klanco për të gjitha gratë, vejusha apo të pamartuarat, që jetojnë në shoqëri konservative jo-liberale.

Anxhela Nikols, vejushë tjetër angleze e luftës, burri i së cilës, Lensi, u vra në Afganistan më 2006, nuk i ka hyrë ndonjë marrdhënieje të re. Por edhe ajo beson se askush nuk ka të drejtën t'i thotë vejushave të luftës se çka të bëjnë me jetën e tyre.
“Ka për të pasë gjithmonë njerëz që na gjykojnë për atë që bëjmë por këta janë njerëzit që nuk na njohin dhe nuk duan që ne të jemi të lumtura,” thotë ajo.

Në Kosovë, Flora Rexhepi jeton me dhimbjen e humbjes së dyfishtë: të qenit vejushë dhe e ndarë nga fëmija i saj. Mesazhi i saj për gratë që përballen me të njëjtin fat është i thjeshtë e i drejtpërdrejtë: “Kurrë mos e braktis fëminë për asgjë në botë.”

Ky artikull është shkruar gjatë programit të Bursës Ballkanike të Gazetarisë, një nismë e Robert Bosch Stiftung dhe fondacionit ERSTE, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN.


 
Veröffentlicht : 15/04/2011 9:16 a.m.
Teilen: