Barnat e konfiskuara u shpërndahen spitaleve
Barnat e konfiskuara në barnatoret private nga autoritet e doganave të Kosovës, kanë përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Edhe pse këto barna kanë prejardhje të dyshimtë, ato po përdoren nga pacientët e QKUK-së.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se është në dijeni për çështjen dhe, sipas tij, këto veprime duhet të ndërpriten, shkruan RTK.
Këto ditë barnatoret private ishin në qendër të vëmendjes në mediumet tona. Sipas, Autoriteteve te Doganave të Kosovës, në bashkëpunim me Njësitin e Kontrabandës së Policisë së Kosovës, në shumë barnatore janë gjetur barna të kontrabanduara si dhe me prejardhje të dyshimtë.
Por, edhe pse, sipas tyre, këto barna kanë prejardhje të dyshimtë, ato po përdoren nga pacientët e QKUK-së. Një farmaciste që deshi të mbetet anonim shpjegon:
“Do me thanë i ka marr dogana i ka dërguar në spital. Në njërën anë po thojnë s’janë të sigurta e në anën tjetër po i dërgojnë në spital”, thotë farmacistja që dëshiron të mbetet anonime.
Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave të Kosovës, tha për Radio Kosovën se barnat e konfiskuara janë dërguar të AKPM.
Përderisa thuhet se ato barna janë me prejardhje të dyshimtë, sa mund të jenë të sigurta për pacientët e QKUK-së, kryeinspektori i Inspektoratit Farmaceutik të AKPM-së, Haki EjupEjupi sqaron “Secili produkt, i cili nuk i bëhet një analizë nuk mund të jepet një konfirmim që është me kualitet dhe cilësi të lart dhe mund të cilësohet si i dyshimtë. Mirëpo, dhashtë Zoti që deri më tash nuk është paraqitë ndonjë rast që ndokush prej pacientëve, nga ato barna, ka pasur ndonjë efekt negativ ndaj terapisë që e ka përdorë”.
Memorandumi bashkëpunimit, i cili është nënshkruar vite më parë në mes të Doganave të Kosovës dhe QKUK-së duhet rishikuar, sepse, ky memorandum nuk është në pajtim të plotë me ligjin dhe nuk garanton cilësinë e barnave, tha Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
Ministri, Ferid Agani, tha se janë duke bërë përpjekje që brenda këtij muaji të aktivizohet laboratori brenda AKPM-së, ku do të bëhen analizat e cilësisë së barnave.
