Të gjithë njerëzit kanë një Krijues të vetëm

Njeriu si një qenie e gjallë mbi tokë, para së të jetë pjesëtar i cilësdo feje apo çfarëdo besimi të caktuar, është qenie humane, e cila edhe sipas mësimeve dhe besimeve të mëdha monoteiste ka një gjenezë të vetme ademike, të njohur si: Adam-Adem & Eva-Hava.

Faktin se njerëzit kanë të gjithë një natyrë krijuese, e ka vërtetuar edhe shkenca e cila është marr me kodin gjenetik të njeriut. Ajo ka ardhur në përfundim se një njeri, kudo që merr frymë në sipërfaqen e tokës, mbi 99.9 për qind e qenies së tij ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë lëndore dhe fizike me të gjithë njerëzit – pa dallim etnie dhe race.

E, kjo do të thotë se ne, para se të jemi pjesëtarë të një kombi, etnie apo t`i përkasim ndonjë forme të caktuar të besimit në Zot, kemi vetëm një emër të përbashkët, atë: “NJERI“.

Prandaj, shih për këtë, edhe ndarjet në forma dhe mënyra të ndryshme të besimit në Zot, ne duhet parë si vullnet të lirë të përcaktimit të çdonjërit, të cilat nuk duhet vënë në shërbim të urrejtjes dhe luftës ndaj tjetrit, sepse duhet kuptuar se edhe tjetri është si ne – njeri; edhe tjetri beson dhe pretendon siç besojmë edhe ne se është në rrugën e drejtë dhe të saktë të Zotit, kurse të tjerët janë në të gabuarën dhe të humburën.

Ndryshe, diverstitin etnik, racor e linguistik, si dhe diversitetin e bindjes tonë për besim duhet shikuar e pranuar edhe si vullnet të Zotit të zgjedhur për botën njerëzore.

Këtë dallueshmëri mes njerëzve e konfirmon edhe teksti i shenjtë i Kuranit në citatet si vijon:

“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete.. më fisniku nga ju tek Zoti është ai i cili më teprimi i përkushtohet Atij.”

“Nga argumentet e Tij është edhe krijim i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka shenja për njerëzit (që mendojnë, se Ai ekziston).”

Çështja e besimit në Zot për një të rritur në moshë dhe mentalisht të shëndosh, duhet të shihet si zgjedhje individuale dhe personale e tij, siç njashtu është edhe përgjegjësi individuale e çdonjërit para Zotit të vet për besimin të cilin e ka ndjekur apo e ka zgjedhur si pjesë të orientimit shpirtëror të tij gjatë jetës së tij në këtë botë.

Neve, si krijesa njerëzore nuk na është lënë në dorë e drejta për të gjykuar, stigmatizuar apo luftuar tjetrin vetëm pse nuk ndanë të njëjtën formë të besimit në Zot sikurse edhe ne.

Për formën e besimit të drejtë gjykon dhe shpërblen Zoti, dhe jo njeriu. Zoti është Ai i cili mban monopolin e gjykimit absolut në ditën e ringjalljes.

Ne kemi të drejtë të mos pajtohemi dhe të mos ndajmë të njëjtën bindje me tjetrin sa i përket besimit mirëpo, në anën tjetër, me asnjë normë – qoftë ajo njerëzore apo hyjnore – nuk sanksionohemi që të respektojmë dhe tolerojmë bindjen dhe përcaktimin shpirtëror të secilit individ apo grup në shoqëri, përderisa individi apo grupi i caktuar fetar nuk kërcënon lirinë dhe të drejtën e tjetrit në emër të Zotit!

Si pjesëtarë të feve monoteiste nuk duhet të anashkalojmë dhe injorojmë udhëzimin dhe këshillat e librave të shenjta. Në Kuran lidhje me atë që u theksua më lartë lexojmë tekstet edhe si vijon:

“Sikur Zoti të donte, të gjithë juve do t`ju bënte pjesëtarë të një feje.”

“Nuk ka imponim të besimit (ndaj tjerëve).”

“Nuk është e drejtë as e Pejgamberit, por as e tjerëve, që t`i urrejnë njerëzit pse ata nuk besojnë (në Zot).”

“Ti, o i Dërguar – Profet! Obligim i yt është që vetëm t`u përkujtosh ( njerëzve besimin në Zot), sepse ti nuk ke kompetencën e mbizotërimit (të zemrave të askujt)”.

Liria e besimit dhe fesë nuk nënkupton lirinë dhe të drejtën për të luftuar dhe nëpërkëmbur tjetrin në emër të Zotit, sepse një veprim i tillë jo që bie në kundërshtim vetëm me parimet humane dhe demokratike, por njëkohësisht bie në kundërthënie të drejtpërdrejtë edhe me vet mësimet dhe udhëzimet e shpalljeve hyjnore drejtuar njeriut.

Mendimi dhe veprimi ekstrem në fe nuk ka emër tjetër veçse devijim nga arsyeja dhe mendimi i shëndosh racional, të cilin nuk duhet lejuar që të zë vend në familjen dhe shoqërinë tonë.

Sa për t’ju përkujtuar juve sot, ekstremizmi fetar nuk ka lindur dhe as që lind vetvetiu. Ai krijohet dhe kultivohet nga faktori njeri dhe jo nga Zoti, me qëllime dhe prapavijë të caktuar, në kohë dhe rrethana të caktuara, i nxitur dhe i shtyrë shpeshherë edhe nga faktorë politikë.

Veprim ekstrem ndër ne mund të jetë edhe insistimi i ndërtimit i një objekti fetar në mesin e një komuniteti tjetër, për të cilin ata nuk janë në pajtim, sepse një hap i tillë mund të shkaktojë reagime, të cilat pastaj mund të rriten dhe të shndërrohen në objekt urrejtjeje dhe përçarjeje.

Përgjegjësia për një orientim dhe devijim të të rinjve tanë në emër Zotit dhe fesë, bie në rend të parë mbi prijësit e fesë pa dallim se cilit konfesion ata mund t`i takojnë. Ndryshe, edhe shoqëria në përgjithësi duhet jetë ajo që të reagojë në kohë për të parandaluar një fenomen të tillë të shëmtuar të mendimit dhe veprimit, i cili nuk ka epilog tjetër veçse anarkinë, dekadencën si dhe destabilizimin e një shoqërie kudo që lëshon rrënjë.

Ne, si shqiptarë në shumicë, edhe pse të ndarë në vijë gjeografike si rezultat i rrjedhave dhe tundimeve historike, nuk na bënë asnjëherë që të mos ndihemi se jemi bij të një gjaku, të një gjuhë dhe kulture, dhe se i takojmë konfesioneve të njëjta fetare me dallim të vogla.

Kështu që, duke qenë si një shoqëri e dy vendeve, por me një gjenezë etnike, gjeografike dhe gjeopolitike, si dhe aspirues të integrimeve euroatlantike, angazhimi ynë i përbashkët duhet të vazhdojë të jetë i orientuar në ruajtjen e traditës së respektit dhe tolerancës ndaj njëri-tjetrit, duke mos lejuar që qasja e jonë e ndryshme ndaj besimit në Zot të shndërrohet në mjet dhe element të urrejtjes dhe përçarjes mes nesh.

Dallimet fetare janë pjesë e të të gjitha shoqërive kudo në botë. Ato nuk mund të zhduken dhe as që janë zhdukur ndonjëherë gjatë gjithë historisë njerëzore deri më sot.

Provokimet e të tjerëve me prapavijë dhe paragjykime fetare nuk duhet të jenë pjesë e agjendës së asnjë konfesioni fetar në vendet dhe territoret tona, si edhe më gjerë.

Konkurrenca për të qenë sa më afër me Zotin nuk duhet të rrëshqas në urrejtje dhe luftë për Të, sepse Zoti nuk i do shoqëritë e ndara dhe të përçara në emër të Tij. Kështu raste kemi sa të duash përgjatë historisë.

Në Kuran, në lidhje me përcaktimin e lirë të çdonjërit në besimin e tij fetar, gjejmë përgjigjen shumë domethënëse të cilën Zoti ia kishte mësuar të dërguarit të tij Muhammedit:

“Për ju le të jetë feja e juaj, kurse unë për veten time kam fenë time.”

Toleranca fetare nuk kultivohet vetëm përmes fjalëve dhe retorikes, por me anë të veprimeve dhe ndërveprime të ndërsjella, me edukim praktik të fëmijëve; në shtëpi, në institucione shkollore, në ambiente shoqërore, media etj.