IMAMI IM I DASHUR SHQIPTAR!

Në pamundësi të bashkimit të të gjithë imamëve në një vend, vendosa të ju drejtohem publikisht me një letër të tillë; sa qortuese aq edhe këshilluese në të njëjtën kohë.
Në prag të shekullit në të cilin kemi hyrë, shihet qartë se bota njerëzore ka pësuar shumë ndryshime në shumë dimensione të jetës së saj. Si popull dhe si komb jemi të vegjël për të ndikuar në ndryshimet globale, apo në orientimet ideologjike ndaj pjesës së botës së madhe dhe të fuqishme. Fundja, këtë edhe nuk na e kërkon askush si përgjegjësi tonën. Në këtë situatë kaq të koklavitur dhe të bombarduar nga të gjitha anët me informacione nga më të ndryshmet, prej gjithsecilit nga mesi ynë nevojitet që të ketë kujdese të shtuar, në mënyrë që çdo njëri të ruaj kopenë e vet, me mundësitë dhe kapacitetin që ka në dispozicion.
Imami shqiptar i cili sot i prinë një grupi të besimtarëve në rrethin e vet ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ai duhet të jetë vigjilent dhe përgjegjës për fjalën e tij publike, dhe i vetëdijshëm për rrugën të cilën e ndjek në interpretimin e mësimeve fetare. Pozicioni ynë gjeografik dhe gjeopolitik kërkon nga ne një qasje të matur, të balancuar dhe shumë mirë të studiuar. Rreshtimi ynë pas shkollave dhe orientimeve të jashtme, dhe pasimi i tyre sipas modelit copy-past, është qartë i dëmshëm si për fenë të cilës i takojmë, e njashtu edhe për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.
Përmes një vështrimi të shkurtër përgjatë këtyre dy dekadave të fundit të cilat po i lëmë pas, shihet se, krahas sukseseve në misionin tuaj si imam, ju keni bërë edhe disa gabime dhe lëshime të cilat nuk do duhej të ishin pjesë e punës tuaj. Gjatë gati 18 viteve të pasluftës, vërehet se në mes jush nuk ka ekzistuar një unitet i duhur, për të pasur qëndrime dhe udhëzime të përbashkëta fetare të mësimeve islame. Prandaj, si rezultat i këtij moskoordinimi kyç, në mesin e besimtarëve tanë të rëndomtë është krijuar një laramani e pa qenë më herët. Në shumë faltore- xhami tona sot, mund të hasësh në dy e tri forma të ndryshme të rreshtimit në namaz, pastaj të lëvizjeve dhe të pozicionimit të çakorduar të besimtarëve. Këto nuk i shkaktuan të tjerët, por mësimet e tuaja.
Kjo si dukuri nuk ka qenë më herët tek ne, dhe as që është bërë fjalë për të. Si imam, një pjesë e juaj ka marr guximin që të veproj krejtësisht i pavarur në mesin e besimtarëve, dhe jo si një trup me një qëndrim unifikues zyrtar. Jeni ndarë në shkolla dhe orientime të ndryshme. Një grup nga radhët tuaja pason shkollën e versionit jo alternativ, një tjetër atë lëvizjeve myslimane me synime politike, kurse një pjesë ka rënë nën ndikimin e grupeve ideologjike fetare dhe doktrinare të vendeve të huaja, të pa njohura po ashtu në mesin tonë.
Megjithëkëtë, vlen të thuhet se pjesa më e madhe e juaj vazhdon të ndjek vijën e interpretimit tradicional të fesë islame tek ne, e cila ishte dhe është bashkuese për të gjitha shtresat e besimtarëve tanë , mirëpo kjo nuk është një garanci për të ardhmen afatgjate, nëse grupet tuaja të reja të mbështetura nga jashtë, vazhdojnë të jenë aktive dhe të çakorduara siç edhe kanë qenë deri më sot.
Duket se sikur nuk keni menduar ndonjëherë qartë dhe thellësisht, se kjo ndarje më së paku u bënë juve nder, ndërsa më së shumti e dëmton unitetin e përbashkët tonë qytetar dhe fetar. Fatkeqësisht, në radhët tuaja ka munguar edhe vigjilenca në kohë se ku mund të përfundojnë këto divergjenca të predikimit fetar, dhe se cili mund të jetë epilogu i tyre.
Me dhe pa vetëdije keni rënë nën ndikimin individëve dhe shkollave të jashtme, të cilat në asnjë mënyrë nuk përputhen me interesin e besimtarëve dhe qytetarëve tanë. Ne kemi pasur, siç edhe kemi nevojë për ndihmën e të tjerëve, siç vazhdimisht edhe do të kemi nevojë për miq të jashtëm, por kuptojeni se asnjëherë nuk do të na bëjë nderë një dorë ndihmëse, e cila na dëmton dhe na godet në ecjen dhe në orientimin tonë kombëtar, gjeografik dhe gjeopolitik.
Një pjesë nga ju nuk ishte dhe fatkeqësisht ende vazhdon të mbetet e pa vetëdijshme për të ndarë Islamin me traditën dhe kulturën e vendit nga ku një pjesë e juaj jeni edukuar dhe arsimuar. Nga ju ende ka të tillë që besojnë se fetvat, dekretet fetare të dijetarëve mysliman mbi rregullimin e jetës sociale të shoqërive myslimane, të nxjerra shekuj më herët, mund të aplikohen plotësisht edhe sot, dhe aq më keq i konsideroni si të pa zëvendësueshme. Ju duhet të kuptoni njëherë e përgjithmonë se vetëm teksti i Kuranit-urtexti i tij, është i shenjtë, ndërsa në asnjë mënyrë jo edhe mendimi i cilit do dijetar mbi të.
Deri më sot nuk keni arritur të bëni as seleksionimin e literaturës fetare, e cila u është servuar nga autorët e ndryshëm, e përpiluar dhe shkruar në emër te mësimeve fetare, me tendenca dhe ngjyrime politike dhe ideologjike, për t`u shërbyer kauzave lokale dhe gjeopolitike të vendeve ku autorët jetojnë dhe veprojnë. Një literaturë kjo, e cila asgjë nuk kanë të bëjnë me rrethanat tona sociale, politike dhe fetare.
Ne duhet të punojmë që të jemi vetja e jonë, dhe për asnjë çmim të mos vëmë në rrezik interesin tonë kombëtar, duke u ndikuar nga të tjerët në emër të interpretimeve të veçanta të fesë. Orientimi ynë në kohë dhe hapësirë është i rëndësisë së veçantë dhe thelbësor për rrethanat në të cilat po kalojmë. Mësimet fetare duhet t`i marrim vet në dorë duke i mbajtur larg ndikimeve të huaja dhe duke i orientuar ato në drejtim të unitetit dhe bashkimit tonë dhe jo në drejtim të përçarjes dhe të stigmatizimit të radhëve tona.
Është mëkat dhe veprim i pafalshëm për ne dhe fëmijët tanë, që vlerat tona fetare sot, t`i përziejmë me fraksione dhe lëvizje politike fetare të jashtme, të cilat atje ku kanë lindur dhe janë aktive, deri më sot historikisht janë treguar dhe dëshmuar si të dëmshme dhe me përmasa katastrofale për besimtarët dhe qytetarët e tyre.
Në vend që të pasoni X ideologun apo X lëvizjen fetare politike, përqendrohuni në vlera fetare mbi etikën dhe moralin, solidaritetin, respektin dhe dashurinë për njëri tjetrin, mbi elementet të cilat na bashkojnë e na forcojnë si shoqëri, komb dhe shtet. Flakëroni çdo element që zbehë dhe rrezikon unitetin dhe vëllazërinë tonë shqiptare në rend të parë, dhe atë gjithënjerëzore në përgjithësi.

XHH

Të gjithë njerëzit kanë një Krijues të vetëm

Njeriu si një qenie e gjallë mbi tokë, para së të jetë pjesëtar i cilësdo feje apo çfarëdo besimi të caktuar, është qenie humane, e cila edhe sipas mësimeve dhe besimeve të mëdha monoteiste ka një gjenezë të vetme ademike, të njohur si: Adam-Adem & Eva-Hava.

Faktin se njerëzit kanë të gjithë një natyrë krijuese, e ka vërtetuar edhe shkenca e cila është marr me kodin gjenetik të njeriut. Ajo ka ardhur në përfundim se një njeri, kudo që merr frymë në sipërfaqen e tokës, mbi 99.9 për qind e qenies së tij ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë lëndore dhe fizike me të gjithë njerëzit – pa dallim etnie dhe race.

E, kjo do të thotë se ne, para se të jemi pjesëtarë të një kombi, etnie apo t`i përkasim ndonjë forme të caktuar të besimit në Zot, kemi vetëm një emër të përbashkët, atë: “NJERI“.

Prandaj, shih për këtë, edhe ndarjet në forma dhe mënyra të ndryshme të besimit në Zot, ne duhet parë si vullnet të lirë të përcaktimit të çdonjërit, të cilat nuk duhet vënë në shërbim të urrejtjes dhe luftës ndaj tjetrit, sepse duhet kuptuar se edhe tjetri është si ne – njeri; edhe tjetri beson dhe pretendon siç besojmë edhe ne se është në rrugën e drejtë dhe të saktë të Zotit, kurse të tjerët janë në të gabuarën dhe të humburën.

Ndryshe, diverstitin etnik, racor e linguistik, si dhe diversitetin e bindjes tonë për besim duhet shikuar e pranuar edhe si vullnet të Zotit të zgjedhur për botën njerëzore.

Këtë dallueshmëri mes njerëzve e konfirmon edhe teksti i shenjtë i Kuranit në citatet si vijon:

“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete.. më fisniku nga ju tek Zoti është ai i cili më teprimi i përkushtohet Atij.”

“Nga argumentet e Tij është edhe krijim i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka shenja për njerëzit (që mendojnë, se Ai ekziston).”

Çështja e besimit në Zot për një të rritur në moshë dhe mentalisht të shëndosh, duhet të shihet si zgjedhje individuale dhe personale e tij, siç njashtu është edhe përgjegjësi individuale e çdonjërit para Zotit të vet për besimin të cilin e ka ndjekur apo e ka zgjedhur si pjesë të orientimit shpirtëror të tij gjatë jetës së tij në këtë botë.

Neve, si krijesa njerëzore nuk na është lënë në dorë e drejta për të gjykuar, stigmatizuar apo luftuar tjetrin vetëm pse nuk ndanë të njëjtën formë të besimit në Zot sikurse edhe ne.

Për formën e besimit të drejtë gjykon dhe shpërblen Zoti, dhe jo njeriu. Zoti është Ai i cili mban monopolin e gjykimit absolut në ditën e ringjalljes.

Ne kemi të drejtë të mos pajtohemi dhe të mos ndajmë të njëjtën bindje me tjetrin sa i përket besimit mirëpo, në anën tjetër, me asnjë normë – qoftë ajo njerëzore apo hyjnore – nuk sanksionohemi që të respektojmë dhe tolerojmë bindjen dhe përcaktimin shpirtëror të secilit individ apo grup në shoqëri, përderisa individi apo grupi i caktuar fetar nuk kërcënon lirinë dhe të drejtën e tjetrit në emër të Zotit!

Si pjesëtarë të feve monoteiste nuk duhet të anashkalojmë dhe injorojmë udhëzimin dhe këshillat e librave të shenjta. Në Kuran lidhje me atë që u theksua më lartë lexojmë tekstet edhe si vijon:

“Sikur Zoti të donte, të gjithë juve do t`ju bënte pjesëtarë të një feje.”

“Nuk ka imponim të besimit (ndaj tjerëve).”

“Nuk është e drejtë as e Pejgamberit, por as e tjerëve, që t`i urrejnë njerëzit pse ata nuk besojnë (në Zot).”

“Ti, o i Dërguar – Profet! Obligim i yt është që vetëm t`u përkujtosh ( njerëzve besimin në Zot), sepse ti nuk ke kompetencën e mbizotërimit (të zemrave të askujt)”.

Liria e besimit dhe fesë nuk nënkupton lirinë dhe të drejtën për të luftuar dhe nëpërkëmbur tjetrin në emër të Zotit, sepse një veprim i tillë jo që bie në kundërshtim vetëm me parimet humane dhe demokratike, por njëkohësisht bie në kundërthënie të drejtpërdrejtë edhe me vet mësimet dhe udhëzimet e shpalljeve hyjnore drejtuar njeriut.

Mendimi dhe veprimi ekstrem në fe nuk ka emër tjetër veçse devijim nga arsyeja dhe mendimi i shëndosh racional, të cilin nuk duhet lejuar që të zë vend në familjen dhe shoqërinë tonë.

Sa për t’ju përkujtuar juve sot, ekstremizmi fetar nuk ka lindur dhe as që lind vetvetiu. Ai krijohet dhe kultivohet nga faktori njeri dhe jo nga Zoti, me qëllime dhe prapavijë të caktuar, në kohë dhe rrethana të caktuara, i nxitur dhe i shtyrë shpeshherë edhe nga faktorë politikë.

Veprim ekstrem ndër ne mund të jetë edhe insistimi i ndërtimit i një objekti fetar në mesin e një komuniteti tjetër, për të cilin ata nuk janë në pajtim, sepse një hap i tillë mund të shkaktojë reagime, të cilat pastaj mund të rriten dhe të shndërrohen në objekt urrejtjeje dhe përçarjeje.

Përgjegjësia për një orientim dhe devijim të të rinjve tanë në emër Zotit dhe fesë, bie në rend të parë mbi prijësit e fesë pa dallim se cilit konfesion ata mund t`i takojnë. Ndryshe, edhe shoqëria në përgjithësi duhet jetë ajo që të reagojë në kohë për të parandaluar një fenomen të tillë të shëmtuar të mendimit dhe veprimit, i cili nuk ka epilog tjetër veçse anarkinë, dekadencën si dhe destabilizimin e një shoqërie kudo që lëshon rrënjë.

Ne, si shqiptarë në shumicë, edhe pse të ndarë në vijë gjeografike si rezultat i rrjedhave dhe tundimeve historike, nuk na bënë asnjëherë që të mos ndihemi se jemi bij të një gjaku, të një gjuhë dhe kulture, dhe se i takojmë konfesioneve të njëjta fetare me dallim të vogla.

Kështu që, duke qenë si një shoqëri e dy vendeve, por me një gjenezë etnike, gjeografike dhe gjeopolitike, si dhe aspirues të integrimeve euroatlantike, angazhimi ynë i përbashkët duhet të vazhdojë të jetë i orientuar në ruajtjen e traditës së respektit dhe tolerancës ndaj njëri-tjetrit, duke mos lejuar që qasja e jonë e ndryshme ndaj besimit në Zot të shndërrohet në mjet dhe element të urrejtjes dhe përçarjes mes nesh.

Dallimet fetare janë pjesë e të të gjitha shoqërive kudo në botë. Ato nuk mund të zhduken dhe as që janë zhdukur ndonjëherë gjatë gjithë historisë njerëzore deri më sot.

Provokimet e të tjerëve me prapavijë dhe paragjykime fetare nuk duhet të jenë pjesë e agjendës së asnjë konfesioni fetar në vendet dhe territoret tona, si edhe më gjerë.

Konkurrenca për të qenë sa më afër me Zotin nuk duhet të rrëshqas në urrejtje dhe luftë për Të, sepse Zoti nuk i do shoqëritë e ndara dhe të përçara në emër të Tij. Kështu raste kemi sa të duash përgjatë historisë.

Në Kuran, në lidhje me përcaktimin e lirë të çdonjërit në besimin e tij fetar, gjejmë përgjigjen shumë domethënëse të cilën Zoti ia kishte mësuar të dërguarit të tij Muhammedit:

“Për ju le të jetë feja e juaj, kurse unë për veten time kam fenë time.”

Toleranca fetare nuk kultivohet vetëm përmes fjalëve dhe retorikes, por me anë të veprimeve dhe ndërveprime të ndërsjella, me edukim praktik të fëmijëve; në shtëpi, në institucione shkollore, në ambiente shoqërore, media etj.

Lëreni tentativat dhe shtyrjet e bërrylave për dominimin mbi fenë shkruan Prof.Dr. Xhabir Hamiti në Facebook, sepse atë askush deri më sot nuk ka arritur të fusë në grusht dhe as që të ketë monopol mbi të. Lëreni dhe mos e instrumentalizoni fenë për interesa të ngushta ditore në dëm të interesit të përgjithshëm të bijave dhe bijve tonë. Mos bëni tregti dhe politikë me fenë duke dëmtuar e nënçmuar tjetrin. Mos u bëni argat të agjendave të jashtme të cilat përmes fesë po mundohen që të brejnë dhe të luhatin bashkëjetesën dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Thoni po respektit dhe përkatësisë së çdonjërit për bindjen e vet të zgjedhur fetare dhe thoni stop provokimeve dhe urrejtjes në emër të saj. Zoti është mbi fenë që ne e predikojmë, por njëkohësisht është edhe Krijues i të gjithë neve pa dallim. Të kaluarën lërjani historisë, sepse ajo më nuk kthehet. Shikoni të tashmen dhe punoni drejt të së ardhmes.
Shqiptarët më së paku kanë nevojë sot që fenë t`a bëjnë lajm ditor, kur dihet se para veti presin shumë punë për të bërë drejt rregullimit dhe funksionalizimit të mbarë e prosperues të shtetit tonë. E drejta e besimit dhe praktikimit të fesë duhet të institucionalizohet barazisht dhe për të gjithë pa dallim, por njëkohësisht edhe të sanksionohet abuzimi me të në dëm të tjetrit dhe në dëm të interesit të përbashkët shoqëror dhe kombëtar.
Të gjithë ata popuj që e kanë përdor emrin e Zotit për t`i dëmtuar të tjerët padrejtësisht, asnjëherë nuk kanë shpëtuar nga dënimi i Tij. Shembuj të tillë kemi edhe sot, përplot.
Lëni njerëzit të lirë në besimin e vet dhe mos bëni orvatje për supermaci fetare.
Shoqëria e jonë, përveç besimit në Zot ka nevojë si kurrë më parë për respektim të ligjit dhe drejtësisë, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale si dhe luftimin e monopolit dhe korrupsionit të cilat i kanë fut thellë rrënjët në mesin tonë. Këto të këqija po e zbehin ndjeshëm shpresën e të rinjve tanë për një të ardhmen më të mirë të tyre.
Zoti nuk është problem i shqiptarëve sot e as që kanë qenë ndonjëherë, por jemi vet ne që ende nuk jemi këndellur e zgjuar si duhet; për të punuar drejtë, për të dashur njëri tjetrin pa hile, për t`i luftuar të ligat dhe keqen tonë bashkërisht.

Profesori i Medresesë “Alaudin” në Prishtinë, Xhabir Hamiti, është i bindur se nuk konsiderohet luftë kundër islamit dhe as kundër myslimanëve që të mos pajtohesh me përfaqësuesit e një orientimi devijant ideologjik dhe sektar, i cili së pari është i dëmshëm për vetveten e tyre dhe kërcënues për të gjithë të tjerët të cilët nuk mendojnë dhe besojnë si ta.

Hamiti në një artikull të botuar në profilin e tij në Facebook, ka kujtuar se si ishte përjashtuar nga kryesia e BIK-ut, të cilëve thotë se i kishte paralajmëruar se duhet qenë vigjilentë. Për këtë madje, kujton ai, ishin sulmuar edhe fizikisht.

Ai, thotë se pyetja e tyre e hershme, e që ja vlen të përsëritet edhe sot është se: A mund të jemi e të qëndrojmë shqiptarë dhe pjesëtarë të besimit Islam, pa qenë pjesë e asnjë lëvizje të huaj ideologjike fetare dhe politike, me fjalë të tjera të jemi autokton në mendimin dhe kultivimin tonë fetar?

Me pohim të plotë mund të themi se: MUNDEMI!

“Si njohës të mësimeve islame, të lëvizjeve politiko fetare, të traditave zakoneve dhe fanatizmave të pjesës së botës islame, që herët patëm paralajmëruar se duhet të jemi vigjilent si popull dhe të bëjmë dallimin mes tyre dhe fesë në gjenezë, si dhe devijimeve që popujt e ndryshëm i bënë dhe po i bëjnë nën ombrellën e saj, në rrethana krejt tjera nga hapësira e jonë, për të realizuar qëllimet e tyre grupore, sektare dhe gjeopolitike”, thotë Hamiti, teksa shton se me këtë asnjëherë nuk është synuar që të ndodhë kjo që ndodhi e cila, siç thotë ai, i erdhi vendit tonë bumerang, e që fatkeqësisht shoqërisë kosovare i dha dhe po i jep një imazh tepër të keq, karshi vendeve mike të botes perëndimore dhe islame.


“Neve, në vend që ta na dëgjojnë e ta analizojnë atë që e thoshim, pikërisht ky lidership i BIK-ut e bëri të kundërtën, ngriti aktakuzë të brendshme ndaj nesh dhe na largoi me dhunë nga pozitat e brendshme që kishim, duke zhvilluar edhe propagandë në mesin e xhematit të rëndomtë, se gjoja ne jemi kundër Islamit dhe BIK-ut, ndërsa vetën e shihnin dhe e paraqisnin kinse shpëtues të tij, gjersa sot e kanë mbushur gojën plotë me thënien tonë të hershme, se për neve “Islami tradicional” është rruga e cila duhet ndjekur”, thotë ai. “Megjithatë, është shumë mirë që e kanë kuptuar më në fund!”.

Hamiti, thotë se për të përkujtuar, atyre u pati ndodhur edhe më e keqja, sa që, për që ishin kërkuar, kërcënuar dhe madje sulmuar fizikisht nga grupe kriminale, të frymëzuara nga ata që, siç thotë Hamiti “neve, na shihnin rrezik për ta. Pse!”.

“Sot është tepër e dhimbshme për ne si dhe për familjaret e tyre në rend të parë kjo që shohim sot me këta të rinj, të cilët kanë rënë pre e propagandës nxitëse anti parimeve fetare, humane dhe kombëtare tona, për çka besojmë se më vonë edhe ata vet do ta kuptojnë se kanë qenë të manipuluar nga tutorë të paguar për te rënë në grackë, nën emocionet e ndjenjave fetare”, thotë Hamiti.

Njohësi i çështjeve islame, dhe pretendenti për myfti në BIK, thotë se kësaj në fakt nuk duhet dhe nuk do të duhej t'i gëzohet askush.

“Nuk konsiderohet luftë kundër islamit dhe as kundër myslimanëve që të mos pajtohesh me përfaqësuesit e një orientimi devijant ideologjik dhe sektar, i cili se pari është i dëmshëm për vetveten e tyre dhe kërcënues për te gjithë te tjerët te cilët nuk mendojnë dhe besojnë si ta”, thotë Hamiti, teksa shtron pyetjen e hershme, e që thotë se ja vlen ta përsërisë edhe sot se a mund të jemi e të qëndrojmë shqiptarë dhe pjesëtarë të besimit Islam, pa qenë pjesë e asnjë lëvizje të huaj ideologjike fetare dhe politike, me fjalë të tjera të jemi autokton në mendimin dhe kultivimin tonë fetar?

“Me pohim te plote mund të themi se: MUNDEMI!”, përgjigjet ai.


Në fund, Hamiti fton të gjitha institucionet vendit, liderët politikë, shoqërinë civile që gjendjen e krijuar të mos e përdorin për poena dhe interesa te tyre, por që problemin ta shohin të përbashkët, sepse qetësia, stabiliteti dhe zhvillimi i vendit në binar të drejtë është në interes të të gjithëve.

Ai jep një zgjidhje se si të dilet nga kjo situatë.

“E dimë që është e vështirë dhe e dhimbshme që ky lidershp i BIK-së te pranojë dorëheqjen, mirëpo realitetit të krijuar sot, me dhe pa fajin e tyre nuk mund t'i iket. Për hir të institucionit të vet BIK-së në rend të parë, pastaj të shoqërisë dhe vendit propozojmë që t'i lënë anash inatet personale dhe të ulemi me koka të ftohura, duke krijuar një udhëheqje gjithëpërfshirëse teknike, e cila do të marr për obligim reformimin organizativ dhe administrativ të këtij institucioni deri në zgjedhjet e reja të nivelit lokal dhe qendror, sepse kjo udhëheqje e sotme e ka humbur kredibilitetin e saj dhe është e pa denjë për të bërë ndryshime serioze. Ky do ishte hapi parë dhe imediat i cili duhet bëhet, kurse hapi i dytë është që shpejt dhe në bashkëpunim me institucionet e vendit, të rregullohet pozita juridike e BIK-së në mënyrë që pa vonesë të ecet përpara me agjendë të qartë dhe transparencë të plotë”, ka thënë Hamiti.

Se zgjedhjet e më hershme në këtë institucion kanë qenë fatkeqësisht skajshmërisht të manipuluara, sot askush nuk e vënë më në dyshim, sado që dikush nga brenda po mundohet në formë talalli t'i paraqesë ato të rregullta dhe transparente, thotë Hamiti.

“Jemi apo nuk jemi ne protagonistë të këtij ndryshimi nuk është aq e rëndësishme, por e rëndësishme është që kjo urgjentisht të ndodhë, jo për qejfin dhe dëshirën e askujt, por për nevojën e domosdoshme të BIK-së dhe shoqërisë tonë në përgjithësi. Gabimet duhet t'i pranojmë me qellim që ato t'i përmirësojmë. Askush nuk është i pa gabueshëm dhe i përkryer.

Me këtë nuk kërkohet diskriminimi i askujt, por vetëm punë dhe angazhim aktiv, kritere, përgjegjësi dhe transparencë për te gjithë pa dallim!”, ka thënë ai.

 

Seriali shqip - Zyrja per Gjithcka - shiko gjitha episodat

Emisioni Perralle me tupan

Emisioni Oxygen me Besim Dina - Shiko te gjitha Emisionet

Emisioni ODEON SCHOW - Shiko te gjitha episodat

Seriali shqip - Cka ka shpija - Te gjitha episodat